Koçiu: Ndërtesat pa leje mund t’i shfrytëzojmë për strehim ose nevoja sociale
Në një konferencë për shtyp, Albana Koçiu bëri të ditur se operacioni për rikthimin e ligjshmërisë në territor ka kaluar tashmë në një fazë të qëndrueshme dhe të përhershme, duke synuar që hapësirat e vendit të jenë gjithnjë e më shumë në shërbim të qytetarit. Ministrja theksoi se intensifikimi i inspektimeve dhe përmirësimi i metodave të monitorimit kanë rritur fuqinë parandaluese të shtetit, ndërsa prishja e ndërtimeve pa leje mbetet zgjidhja e fundit për shkak të kostove që kjo sjell si për shtetin, ashtu edhe për qytetarët.
Koçiu theksoi se ligjshmëria në territor nuk lidhet vetëm me ndërtime të paligjshme, por përfshin edhe mbrojtjen e investimeve dhe djersës së qytetarëve, nga respektimi i kubaturës dhe cilësia e ndërtimit, te hapësirat e përbashkëta dhe ndjekja e planit të miratuar, duke garantuar gjithashtu procesin e hipotekimit. Falë kontrollit të rritur, në rang vendi janë evidentuar 252 subjekte që kanë shkelur lejet e ndërtimit; janë prishur 447 ndërtime ose shtesa të paligjshme, ndërsa janë vendosur gjoba që arrijnë vlerën e 12 milionë eurove.
Një ndryshim i rëndësishëm, sipas ministres, është edhe rishikimi i kornizës ligjore, që përfshin një mekanizëm të fortë ndëshkues dhe njëkohësisht social. Përveç gjobës dhe ndjekjes penale, tani ka mundësi që ndërtesat pa leje të konfiskohen dhe të përdoren për strehim ose shërbime sociale, duke shtuar një arsye më shumë për ndërtuesit ilegalë që të veprojnë me kujdes.
Koçiu nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit shtet–qytetar për suksesin e operacionit. Përmes platformës “Hapësira ime Publike” në e-Albania, qytetarët mund të raportojnë shkeljet në territor; që nga hapja e saj janë regjistruar mbi 18 mijë raste, prej të cilave 14 mijë janë zgjidhur, ndërsa mbi 4 mijë janë në proces shqyrtimi. Ministrja theksoi se roli i qytetarëve është kyç, pasi askush nuk mund ta mbrojë territorin më mirë se komuniteti që jeton dhe investon në të.
KOHA JONË SONDAZH

