Koço Kokëdhima: Një strategji kombëtare kundër tërmeteve

Nga Koço Kokëdhima

Shqipëria dhe Kosova dje mbajtën Zi për jetët e humbura nga tërmeti shkatërrimtar. Jam me mendje dhe me zemër te familjet e viktimave, të lënduarve dhe të pastrehëve. Solidariteti vëllazëror dhe i pashoq i shqiptarëve tregon edhe një herë se sa i madh është shpirti i popullit tonë. Ky demonstrim i jashtëzakonshëm vjen nga Shqipëria e Kosova dhe nga të gjitha trevat tona në Ballkan, nga kudo që ndodhen shqiptarët nëpër botë; është në fakt ngushëllimi i këtyre ditëve të tmerrit. Gjithkush përpiqet të bëjë dhe të japë çfarë mundet nga vetja. Kjo është gjëja e duhur. Jemi një komb e një gjak. Dhe jemi të gjithë të bashkuar në këtë dhimbje të madhe. Lutemi të shpëtohen jetë të tjera që janë ende nën rrënoja. I përshëndes ato qindra burra dhe gra, të rinj dhe të reja, të Emergjencave Civile, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, apo vullnetarë, që duke vënë në rrezik jetën e tyre, po luftojnë për të shpëtuar të mbeturit nën rrënojat e ndërtesave të shembura. Respekt për mjekët dhe infermierët e qendrave spitalore dhe urgjencave që po përballojnë fluksin e madh të të lënduarve.

Ekipe të kërkim-shpëtimit nga Kosova, USA, Italia, Greqia, Franca, Turqia, Kroacia, Rumania, Zvicra, Serbia apo Mali i Zi i kanë ofruar ndihmë Shqipërisë, duke ia lehtësuar situatën. Mirënjohje!

Është përgjegjësi e institucioneve të shtetit dhe e qeverisë të mos lejojnë asnjë abuzim me ndihmat e qytetarëve siç ka ndodhur rëndom në situata të tilla në shumë vende të botës. Çdo dhurim duhet të shkojë në favor të të dëmtuarve pa asnjë firo. ‘Zgjidhja’ kërkon të shohë paketën ligjore të masave të jashtëzakonshme për mirëmenaxhimin e ndihmave dhe eliminimin e pasojave të tërmetit. ‘Zgjidhja’ i kërkon Qeverisë të marrë përsipër krahas sistemimit të përkohshëm të të pastrehëve edhe zgjidhjen përfundimtare falas të strehimit të qytetarëve përmes riparimit dhe rindërtimit të shtëpive të dëmtuara ose të shkatërruara.

Tërmetet janë fatkeqësi natyrore të paparashikueshme dhe njeriu është i pafuqishëm përballë tyre. Por qeveritë mund t’i minimizojnë dëmet njerëzore dhe materiale. Siç kanë bërë prej dekadash vendet ku tërmetet janë përditshmëri, por pa cenuar jetën normale, ku ka ndërtesa që çajnë qiellin, por nuk mbjellin fatkeqësi. Shqipëria nuk u bë e tillë, pavarësisht se është në një zonë sizmike me intensitet të lartë.

Në dy ditët e fundit, shumë nga banorët e Tiranës, Durrësit dhe të qyteteve përreth kanë zbrazur ndërtesat shumëkatëshe nga paniku. Dhe është fakt se shumica e pasojave dramatike na erdhën nga ndërtesat e bëra në këto 30 vite, megjithëse materialet dhe aftësitë e industrisë kombëtare të ndërtimit janë shumë më të mira se më parë. Për këtë duhen akuzuar qeveritë që kemi patur mbi krye. Qeveritë e partive të vjetra që e lanë kontrollin e territorit në dorë të paligjshmërisë për të siguruar vota, pasuri e pushtet për kryetarët e tyre, që lejuan kundrejt shkatërrimit të kontrollit dhe besueshmërisë së institucioneve, ryshfetin për zyrtarët qendrorë dhe vendorë; që në vend të drejtimit me vizion, lejuan ndërtime kaotike, pa plan, pa cilësi, pa studime sizmike, që shemben nga lëkundjet e tërmetit siç ishte ky i të martës. Qeverisja e Ramës me ministrat e tij kukulla, idiotë, kusarë e telendarë, në 6 vitet e shkuara, ashtu si paraardhëset, nuk bëri asgjë më shumë për ta përmbysur këtë rrënim të standardeve që ka shembur kolonat e shtetit dhe të institucioneve përgjegjëse për ndërtime që duhet të përballojnë tërmete edhe më të fortë.

Edhe pas tërmetit të para dy muajve qeveria nuk bëri asnjë skanim dhe rikualifikim të ndërtesave, por i lanë shqiptarët në mëshirë të forcave të verbra të natyrës, edhe pse shumë nga ndërtesat që sot janë shembur e kthyer në rrënoja të përgjakura, i dhanë shenjat se nuk do t’i rezistonin dot një tërmeti tjetër më të fortë.
Prandaj viktimat, të lënduarit, të pastrehët dhe të tronditurit prej tërmetit të së martës, për një pjesë të madhe të këtyre pasojave tragjike, e drejtojnë gishtin te liderët e partive të vjetra që në 30 vite e shpërbënë Shqipërinë nga themelet. Këta “liderë” janë sot në “krye të situatës”, por prej tyre ne nuk presim shpëtim.

Shpëtimi vjen vetëm me një rrugë: tërmeti popullor, me anë të votës së lirë dhe të barabartë, duhet të rrëzojë ngrehinën e kalbur të partive të vjetra. Qeverisja popullore që do të vijë më pas duhet të hartojë një strategji kombëtare që do të ndalojë fatkeqësitë e shkaktuara nga tërmetet dhe rrënimin e mëtejshëm të standardeve në sektorin e ndërtimit, bashkë me standardet e marra peng të demokracisë. Shumë nga shkatërrimet dhe jetët e humbura e të lënduara të shqiptarëve sot nuk janë një “çmim për tekat e Zotit”, por për faktin se populli ynë është i paqeverisur dhe sundohet prej tutkunëve, të korruptuarve, servilëve dhe vulgut të papërgjegjshëm.

Ky tërmet, me rrëzimin apo çarjen e ndërtesave të dobëta, goditi pa mëshirë jetën dhe sigurinë e qytetarëve tanë; shkatërroi pasurinë e patundshme të shumë familjeve dhe bizneseve; zhvlerësoi në shifra të ndjeshme edhe të gjitha patundshmëritë e tjera që i rezistuan për bukuri lëkundjeve të forta dhe që janë pasuri kryesore e shumicës së njerëzve dhe bizneseve; ka dëmtuar rëndë investitorët dhe kompanitë që kanë prodhuar në Tiranë dhe në Shqipëri ndërtesa dhe infrastrukturë për biznes, turizëm e banim me cilësi shumë të lartë; sabotoi përpjekjet e agjencive dhe kompanive shqiptare e të huaja të ndërmjetësimit që investojnë për të ndërkombëtarizuar ofertën shqiptare të pronave të patundshme etj.

Partia ‘Zgjidhja’ beson se programi dhe strategjia kombëtare kundër tërmeteve, krahas reformimit të plotë të tregut të patundshmërive dhe të ekonomisë së ndërtimit, do të mund të parandalojë katastrofat e ardhshme për jetën dhe pasurinë e popullit tonë.

SHKARKO APP