“Koka e korrupsionit s’janë politikanët”, Hazizaj-Ramës: Kush e la vendin pa Gjykata? Kryeministër i vetëdijshëm për të mos shkuar drejt BE
Deklaratave të sotme të kryeministrit Edi Rama se, peshkaqenët e korrupsionit në Shqipëri janë gjyqtarët dhe prokurorët dhe jo politikanët, i ka dhënë përgjigje juristi i njohur Sokol Hazizaj.
I ftuar në “Tempora” në RTV Ora, Hazizaj deklaroi se me fjalimin e sotëm Rama bie ndesh me qëllimin për të cilin është krijuar SPAK.
Sipas tij, janë politikanët targeti i parë i strukturës së posaçme dhe më pas gjyqtarët dhe prokurorët.
Sokol Hazizaj: “Për mendimin tim, ajo që sot ka prodhuar vjen përkundër aspiratës që ka jo vetëm BE dhe SHBA për reformën në drejtësi. Po ta shihni me vëmendje, në nëntekstin e asaj që thotë kryeministri, e devijon plotësisht qëllimin e reformës në drejtësi. SPAK përse është krijuar?
Po të shikosh, lënda mbi të cilën do të funksionojë struktura e posaçme dhe gjykata e posaçme është ky, janë këta. Nuk janë gjyqtarët, ata janë pas, këta janë. Por siç duket, dallkaukët që që i përpunojnë teoritë atij, nuk e dinë akoma që gjithë ky rebesh hetimi dhe gjykimi do të jetë ndaj tyre.
Ose ai e di aq mirë por e shmang te gjyqtarët dhe prokurorët.
Së dyti, i bën presion SPAK-ut. Është presion i drejtëpërdrejtë në kundërshtim me interesat e amerikanëve dhe Bashkimit Europian.
Së treti, kush e la këtë vend pa Gjykatë Kushtetuese? Kush e la? Unë e lashë? Gjosha? Tani, Erioni, ju? Kush e la? Kush po e le këtë vend pa Gjykatë të Lartë?
Do t’ju jap një shembull. Sot Gjykata e Apelit në Korçë është me një gjyqtar. Sot Gjykatat e rretheve janë çerekuar. T’ ju jap një shembull tjetër, KED ka skualifikuar një dhe ka kualifikuar një tjetër. Dhe e dini me çfarë detyrimesh e ka skualifikuar atë tjetrin? Në fillim i dërgonin letër nga DSIK-i dhe i thoshin “na thuaj ne kush janë kontaktet e papërshtatshme?”. Ku ta dijë njeriu i shkretë se kush janë kontaktet e papërshtatshme! Pastaj u kapën, a ke dy muaj punë në Ministrinë e Drejtësisë për të plotësuar 15 vite punë. Thjesht për të[ penguar Gjykatën Kushtetuese. Po kush e bën këtë? Nuk e bëj unë. E bëjnë ato gratë në KED që janë përfaqësuese të politikës”
Sonila Meço: E dini ju që ambasadorja amerikane ka kërkuar një duartrokitje për ministren e drejtësisë Etilda Gjonaj për luftën kundër korrupsionit?
Sokol Hazizaj: E ka kërkuar si femër. Nuk është pak të jesh femër në Shqipëri, ministre e drejtësisë, në një vend ku kryeministri është i vetëdijshëm për të mos shkuar drejt BE.
“Beteja këtu është për ta nisur taman nga koka dhe koka e korrupsionit në Shqipëri nuk janë politikanët, nuk kanë qenë politikanët, pavarësisht se kanë qenë pjesë.
Koka e korupsionit në Shqipëri ka qenë koorporata e këtyre prokurorë dhe gjykatësve që ka garantuar pandëshkueshmërinë në sistem dhe ndëshkimin e drejtësisë e ka përdorur për hesape që shumë shpesh nuk kanë të bëjnë me hesapet e shtetit. Po të mos kishin qenë këta, nuk do të kishte qenë as korrupsioni spektakolar dhe vrastar i politikanëve”, do të shprehej sot ndër të tjera kryeministri Edi Rama.