Kolegët e dënojnë me katër vjet burg gjyqtaren e Lezhës, Ademi

 

Gjykata për Krimet e Rënda ka dhënë vendimin e saj duke dënuar me nga 4 vjet burg gjyqtaren e Lezhës Parashqevi Ademi dhe po kaq edhe avokatin Gjovalin Ndokaj. Atyre iu ul me 1/3 dënimi pasi përfituan nga gjykimi i shkurtuar.  Ata u arrestuan me 11 qershor të këtij viti. Gjyqtarja dhe avokati akuzohen se i kanë marrë shumën 200 mijë lekë të reja dy personave, në një proces penal që po zhvillonin ndaj tyre, me qëllim zbutjen e dënimit.

Vendimi u dha mesditën e së hënës nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Ademi  nuk kishte preferuar të ishte e pranishme në gjykatë, ndërsa avokati Ndoja ka pritur i qetë vendimin. Procesi u zhvillua me gjykim të shkurtuar dhe dy të pandehurit përfitojnë uljen me 1/3 të dënimit. Prokuroria kishte kërkuar 6 vjet burg për gjyqtaren Ademi dhe 5 vjet për avokatin Ndoja. Gjyqtarja u arrestua bashkë me avokatin Gjovalin Ndoja, pasi u kap në flagrancë duke marrë ryshfet në ambientet e Gjykatës së Lezhës. Sipas Prokurorisë, gjyqtarja kishte pranuar të merrte 200 mijë  lekë nga avokati që në këtë rast bënte edhe punën e sekserit. Ajo do të paguhej në këmbim të lirimit me kusht, të një të dënuari.

Në momentin e arrestimit gjyqtares Ademi iu gjeten 50 mijë lekë, ndërsa pjesa tjetër e parave iu kap avokatit. Kjo është gjyqtarja e dytë që dënohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Pak muaj më  parë gjyqtari i Pogradecit Dhimitër Pojanaku u dënua me 5 vjet burg po ashtu i akuzuar për korrupsion.  Mbetet të mësohet fati i gjyqtarit të Sarandës Rasim Doda, i cili akuzohet për korrupsion.

SHKARKO APP