Komandot shqiptarë nisen me misionin në Afganistan

 

Në mjediset e Komandës së Forcës Ajrore në Rinas është zhvilluar sot ceremonia e nisjes për në Kabul, Afganistan, të kontingjentit të Batalionit Komando i Forcës Tokësore,  i cili do të veprojë në kuadër të misionit “Resolute Support”.

Për përcjelljen e 30 trupave komando në këtë mision ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku, ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Hidayet Bayraktar, ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, familjarë dhe të afërm të ushtarakëve që nisen me mison etj.

Ceremoninë e hapi komandanti i Batalionit Komanda, nënkolonel Besim Bala.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, duke përshëndetur trupat e kontingjentit të ri paqeruajtës në Kabul të Afganistanit, theksoi se kontingjenti juaj është në vijim të rreth 22 kontingjenteve shqiptare të dërguara që nga viti 2002. Së bashku me aleatët tanë, ne po hapim një fazë të re angazhimi në Afganistan, me qëllim mbështetjen e qeverisë së Kabulit në përpjekjet e saj për forcimin e stabilitetit dhe ngritjen e sigurisë në vend. Ju, Komando Shqiptarë, do të angazhoheni në kuadër të misionit “Resolute Support”, krah për krah aleatëve dhe partnerëve tanë në ndërtimin e një bote më të sigurt për ne dhe fëmijët tanë. Simbolika është e veçantë, pikërisht nga reparti juaj u nis misioni i parë drejt Afganistanit në vitin 2002, në kuadër të misionit  ISAF. Edhe kësaj radhe janë po trupat komando që hapin siparin e angazhimit shqiptar në kuadër të Misionit “Resolute Support”.

Më tej, ministrja Kodheli tha se, ju do të rreshtoheni krah për krah ushtarakëve turq, miqve që na kanë mbështetur pa kursim në të gjithë këtë përpjekje tonën për transformim dhe modernizim. Me këtë rast ajo falënderoi Qeverinë dhe Forcat e  Armatosura të Republikës së Turqisë për mbështetjen që ka dhënë për Forcat tona të Armatosura. Gjithashtu ministrja Kodheli falënderoi prindërit, bashkëshortet, fëmijët, motrat dhe vëllezërit e trupave të këtij kontingjenti për  mbështetjen që i japin atyre për kryerjen me nder të këtij misioni. “Ju të gjithë do t’ia dilni kësaj sfide, sepse jeni zgjedhur nga atdheu juaj për ta përfaqësuar atë, por edhe sepse ne si qeveri do të bëjmë gjithçka për t’iu mbështetur, do t’iu japim pajisjet më të mira që kemi, do të përkujdesemi për familjet tuaja dhe do t’iu përmbushim çdo premtim të bërë. Jam krenare e ju uroj rrugë të mbarë dhe djem si ju paçim gjithmonë”, – ka përfunduar përshëndetjen e saj ministrja e Mbrojtjes Kodheli.

Në këtë ceremoni përshëndeti edhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Hidayet Bayraktar.

Më pas, ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, i ka dorëzuar Flamurin Kombëtar, komandantit të kontingjentit, kapiten Melsi Hysaj.

SHKARKO APP