Komisioneri i BE: Mos humbni shansin për konsensus. Reagon Basha: Opozita është plotësisht e angazhuar

Mungesa e konsensusit politik për reformën zgjedhore ka vënë në lëvizje autoritetet kryesore të BE-së për integrimin. Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, deklaroi sot se partitë politike brenda dhe jashtë Kuvendit nuk duhet të humbasin momentin për një marrëveshje.

“Unë i inkurajoj të gjitha palët, brenda dhe jashtë parlamentit, që përsëri të provojnë dhe të arrijnë një marrëveshje. Kjo është një reformë e rëndësishme që duhet të ofrohet do të ishte për të ardhur keq nëse humbej ky moment. Shpresoj për një marrëveshje: kjo është thelbësore”,-thotë ai në një deklaratë në Twitter.

Pas qëndrimit të zyrtarit të lartë të BE ka ardhur reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në një postim në Twitter, teksa shpërndan deklaratën e Oliver Varhelyi, Basha shprehet se opozita është e angazhuar plotësisht për konsensus, duke nënkuptuar se problemi është te qeveria.

“Faleminderit Oliver Varhelyi  për angazhimin tuaj për një konsensus të të gjitha palëve për reformën zgjedhore në Shqipëri. Opozita është plotësisht e angazhuar dhe kontribuon në përfundimin e reformës me garanci të mjaftueshme për një proces zgjedhor të drejtë”,- shprehet Basha.

Basha shprehet se kjo reformë është e rëndësishme jo vetëm për të standardet zgjedhore, por edhe plotësimin e 1 nga 15 kushteve të Bashkimit Europian. “Kjo (reformë) është e rëndësishme për shqiptarët që të rivendosin besimin në procesin demokratik pas zgjedhjeve të kaluara me skandale, dhe është po aq e rëndësishme për sa i përket plotësimit të një kriteri të rëndësishëm nga 15 kushtet për integrimin në BE të Shqipërisë”,- shprehet Lulzim Basha.

Përfundimi i reformës zgjedhore me konsensus është një kusht i Bashkimit Europian për integrimin dhe mënyra sesi do të kalojë ajo në Kuvend do të përcaktojë dhe fatin e negociatave.

SHKARKO APP