Komisioni i Ekonomisë mblidhet online, kalon në parim paketën fiskale 2024
Në Komisionin e Ekonomisë të zhvilluar në ‘Zoom’, janë miratuar katër projektligjet e paketës fiskale të vitit 2024. Vëmendjen më të madhe e mori projektligji për ndryshimin e ligjit të TVSH-së i cili parashikon përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar për importimin e mëshqerrave mbarsë dhe insekteve me qëllim eliminimin e përdorimit të hormoneve dhe praktikave të zakonshme, si dhe përdorimin e metodave inovative në bujqësi për kontrollin biologjik të insekteve të dëmshme.
Propozimi për të hequr TVSH-në në import për gjedhë, dhen, dhi, derra dhe njëthundrakë është bërë nga deputeti i PS-së Erion Braçe. “Iniciativa synon që tu japim mundësi të gjithë importuesve të mëshqerrave mbarsë, të përjashtohen nga TVSH-ja”, tha Braçe në Komisionin e Ekonomisë.
Ky ndryshim i propozuar sipas qeverisë, synon nxitjen e importit të mëshqerrave mbarsë që do të lindin në vend me qëllim rritjen e numrit të krerëve në vendin tonë. Për të pasur efektivitet të plotë kjo masë duhet të shoqërohet edhe me një ndryshim tjetër që ka të bëjë me procedurat doganore, ku importuesit duhet të lënë një garanci për çdo ngarkesë me kafshë të gjalla. Sipas Braçes duhet të hiqet garancia që arrin në 1.2 milionë lekë për ngarkesë për importin e mushqerrave mbarsë.
“Këto lopët e mbarsura kur vijnë kanë certifikatë nga veterineri nga vendi ku importohen që lopa është e mbarsur, tani a mund të më thoni pse duhet të mbahet garanci në doganë për këtë gjë, pasi kjo vjen me deklaratë nga veterineri. Një proces rimarrje parash në doganën e Shqipërisë zgjat mbi 1 vit e gjysmë. Kaq kollaj e kemi ne 12 milionë lekë në doganë dhe më pas t’ja kthejmë pas”, tha Braçe.
Për këtë pikë zëvendësministrja e Financave Vasilika Vjerro tha se do të shqyrtohet për tu hequr. Heqja e TVSH-së në import pritet të ndihmojë sektorit të rimëkëmbet pas një rënie të vazhdueshme të numrit të bagëtive në vitet e fundit. Vetëm në vitin e kaluar sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2022 numri i krerëve të bagëtive që prodhojnë qumësht, gjedhë, dele dhe dhi pësoi rënie me 8.3% në krahasim me vitin 2021.
Në komision u diskutuan edhe disa shqetësime të fermerëve, siç është rimbursimi i TVSH-së, por zëvendësministrja Vasilika Vjerro tha se një tjetër paketë fiskale do të bëhet për sektorin bujqësor me qëllim zgjidhjen e problemeve të fermerëve. “Do të fillojmë shumë shpejt një komunikim për të ri-parë edhe një herë të gjitha masat fiskale që aplikohen për sektorin e bujqësisë, që mos të bëjmë masa të veçanta. Mendojmë se ka ardhur koha për ti ri parë këto masa”, u shpreh Vjerro.
Po ashtu Komisioni i Ekonomisë miratoi në parim edhe projektligjin për akcizat, për taksat kombëtare, dhe ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore.
-Projektligji për akcizat, parashikon që të kufizojë rritjen e akcizës me normën e inflacionit, rregull i vendosur në vitin 2021. Sipas relacionit të projektligjit, akciza për karburantin, për pijet alkoolike, për kafen apo për produktet energjetike nuk do të rritet bazuar në normën e inflacionit por vetëm 1.5%. Kurse për produktet dhe nënproduktet e duhanit, akciza do të vazhdojë rritjen e parashikuar.
-Projektligji për taksat kombëtare parashikon rritjen e taksës së karbonit. Kështu sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe OKB-së taksa e karbonit nga 3 lekë/ kg që paguhet nga industria e rëndë, si ajo e hekurit, çimentos dhe prodhimit të ferro-kromit, duke filluar nga 2024 dhe deri në 2030-ën, taksa do t’i përafrohet nivelit të 15.3 lekë/kg.
-Projektligji për procedurat tatimore me synim ashpërsimin e gjobave për bizneset që nuk plotësojnë në kohë detyrimet për të paguar këstet e tatim fitimit korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale. Po ashtu janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri. /Report Tv/