Komisioni i Sigurisë miraton ligjin “Veliaj” për hapjen e dosjeve

 

Projektligji për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, i njohur ndryshe edhe si nisma “Veliaj”, ka marrë “dritën jeshile” edhe nga Komisioni i Sigurisë. Deputetët miratuan sot në parim me 8 vota pro dhe 3 kundër projektligjin e paraqitur nga MMSR, ndërsa ka rrëzuar si në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe opinionin e Komisionit të Venecias variantin e ardhur nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi.

Zëvendësministrja e MSR-së, Gentjana Sula bëri një prezantim të shkurtër të projektligjit, duke theksuar se ai është hartuar duke u bazuar në eksperiencën më të mirë gjermane të hapjes së dosjeve të STASI-t. Ajo theksoi se varianti, para se të kalonte për miratim në qeveri, i është dërguar për mendim shoqatave të ndryshme dhe organizatave të specializuara ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë. Javën e shkuar ai u miratua në parim edhe nga Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë.

Projektligji i qeverisë synon dhënien e aksesit në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit sipas një procesi të mirë-rregulluar për të gjithë personat e prekur drejtpërdrejtë nga veprimtaria e ish Sigurimit të Shtetit. Këtu përfshihen jo vetëm personat e përndjekur nga ish Sigurimi, por edhe vetë bashkëpunëtorët dhe ish punonjësit e Sigurimit, të cilët në përputhje me dispozitat e këtij projektligji do të kenë të drejtën e aksesit të plotë në të gjithë informacionin e grumbulluar kundër tyre apo prej tyre gjatë viteve të veprimtarisë së Sigurimit.

 

Akses do të mund të sigurohet gjithashtu, për efekt të veprimtarisë hulumtuese apo kërkimore me qëllim vlerësimin e veprimtarisë së ish Sigurimit të Shtetit apo vlerësimit të figurës dhe rolit të personave historik të kohës, për aq kohë sa ky informacion i shërben qëllimit të deklaruar. Projektligji parashikon informimin e Institucioneve Publike mbi marrëdhëniet që një person, i cili do të promovohet apo emërohet në një pozicion të lartë shtetëror, kushtetues apo publik, ka pasur me ish-Sigurimin e Shtetit, në rast se kërkohet prej tyre, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 dhe Opinionin e Komisionit të Venecias.

 

Për të realizuar hapjen e dosjeve projektligji parashikon ngritjen e një komisioni të posaçëm me 5 anëtarë që do trajtojë çdo rast apo kërkesë të ardhur nga individë apo institucionet shtetërore. Sipas informacionit paraprak, mësohet se ekzistojnë mbi 14 mijë dosje me mbi 1.5 milion fletë të ruajtura në arkivën e Ministrisë së Brendshme dhe mijëra dosje të tjera në ruajtje në institucione të tjera shtetërore, të cilat nevojiten t’i nënshtrohen një procesi të plotë ruajtje, klasifikimi dhe shqyrtimi.

SHKARKO APP