Komiteti i Helsinkit: Grabitja e Rinasit, një muaj pa përgjegjës
“Pas më shumë se një muaji, ngjarja kriminale në aeroportin e Rinasit kërkon reflektim, përgjegjshmëri dhe llogaridhënie”.
Kështu shprehet Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një deklaratë të fundit për shtyp. Duke shtuar se mbi të gjitha, kjo ngjarje shkaktoi pasiguri tek mijëra qytetarë vendas dhe të huaj, të cilët janë përdorues të rregullt të këtij aeroporti.
“Qytetarët sot ende nuk kanë informacion se çfarë masash janë marrë për të përmirësuar dhe forcuar sigurinë në këtë aeroport dhe nëse këto masa janë të mjaftueshme për të parandaluar ngjarje si ajo e datës 30 Qershor apo edhe ngjarje të tjera kriminale që mund të cenojnë sigurinë e njerëzve dhe mallrave”, apelon gjithashtu ky organizëm.
Për të vijuar me faktin se “ditët që pasuan këtë ngjarje sollën në vëmendje të publikut fakte dhe pretendime të ndryshme por dhe kontradiktore si dhe deklarata të cilat pasonin përgjegjësitë institucionale me efektin ping pong ose i minimizonin ato. Në bazë të Marrëveshjes Koncesionare ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Shoqërisë Koncesionare Tirana International Airport, siguria e perimetrit të jashtëm të aeroportit, ambientet hyrësë të terminalit si dhe sallën e kamerave, ishte përgjegjësi e kësaj kompanie.
Media raportoi se problematika e sigurisë ishte konstatuar ndër vite në këtë aeroport, duke evidentuar shqetësimet e ngritura nga Komisariati i Policisë Kufitare Rinas drejtuar Autoritetit të Aviacionit Civil (ACC) që në vitin 2014. Pavarësisht këtyre shqetësimeve, nuk ishin marrë masa për zgjidhjen e problemeve të sigurisë në aeroport. Lidhur me këtë ngjarje, organi i prokurorisë nisi hetimet, duke urdhëruar ndalimin e 5 shtetasve, detyrat funksionale të të cilëve ishin të lidhura me sigurinë në këtë aeroport.
Pavarësisht se hetimet për zbardhjen e ngjarjes kriminale vazhdojnë, qytetarët sot nuk janë të informuar se mbi kë rëndojnë përgjegjësitë institucionale të cenimit të sigurisë në aeroportin e Rinasit”, vijon deklarata e KSHH-së.
Për të përfunduar se një numër i konsiderueshëm shtetasish shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, shtetasish të huaj në vendet fqinjë dhe shtete të tjera po përdorin në këtë periudhë pushimesh pikërisht aeroportin e Rinasit.
“Përveç pasigurisë, ngjarje të tilla si ajo e datës 30 Qershor ndikojnë edhe mbi lirinë e lëvizjes, e cila do të vështirësohej nëse do kishte braktisje të këtij aeroporti nga kompanite serioze te fluturimit. Ngjarja e datës 30 Qershor kërkon reflektim nga institucionet përgjegjëse për sigurinë në këto pika kalim kufiri. Mirëqeverisja dhe llogaridhënia e organeve publike karshi qytetarëve të vendit kërkojnë gjithashtu nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe ç’rrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend”, apelon KSHH-ja.
KOHA JONË SONDAZH

