Komunitetet fetare thirrje politikës: Gjeni konsensus për reformën

Duket se miratimi i Reformës në Drejtësi nuk ka qenë një temë e ndjeshme vetëm për politikanët tanë. Edhe tri komunitetet e krishtera, ortodoksët, katolikët dhe Vëllazëria Ungjillore dhe Komuniteti Mysliman Shqiptar i kanë bërë thirrje klasës politike këtë të mërkurë, që të gjejë konsensusin për miratimin e reformës në drejtësi.

24 orë para afatit të fundit, tri komunitetet kanë paraqitur një deklaratë të përbashkët, ku thonë se janë duke ndjekur me interes dhe shqetësim rrugëtimin e reformës në drejtësi, gjatë të gjithë kohës që flitet për të.

Kishat e krishtera thonë në deklaratë se, në këtë moment kaq delikat, kur po afrohet data dhe mundësia për t’i dhënë vendit një reformë në drejtësi, e cila është ndër hallkat më problematike të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare, e që prek drejtpërdrejt jetën dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve shqiptarë, i bëjmë thirrje sensit të përgjegjësisë së faktorëve dhe udhëheqësve politikë, që të gjejnë me patjetër një konsensus për këtë reformë, ashtu siç edhe faktori ndërkombëtar është duke theksuar.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Gjetja e një gjuhe të përbashkët në interes të vendit, jashtë interesit vetjak, apo të një grupimi të caktuar politik është sot misioni juaj i madh”, thuhet në deklaratë. Të krishterët thonë se “Gjetja e konsensusit për miratimin e reformës në drejtësi do të shtojë besimin e popullit te faktori politik dhe do të ndikojë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, ku shteti i së drejtës do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të së mirës së përbashkët”.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Orët në vazhdim janë jetike”, thuhet në deklaratë. Tri kishat e krishtera besojnë se ka ende hapësira për t’u ulur dhe për të lënë mënjanë retorikën konfliktuale. “Populli pret shumë nga ju e nga ne të gjithë, që në mënyra të ndryshme duhet të kontribuojmë në përmirësimin e jetës së tyre”.

“Ne premtojmë, – thuhet në deklaratën e kishave të krishtera, – se lutjet tona dhe të besimtarëve tanë i janë drejtuar Zotit për gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe miratimin e kësaj reforme. Paqja e Zotit qoftë me ju!”.

Edhe Komuniteti Mysliman ka reaguar përmes një deklarate për shtyp ku thotë se, “është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit të punimeve për reformën në drejtësi”.

“Duke parë rëndësinë e kësaj reforme, KMSH shpreson që Kuvendi i Shqipërisë do të reagojë maturisht dhe do bëjë zgjedhjen më të mirë të mundshme, e cila do të shërbejë në të mirë të qytetarëve dhe politikave të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratë. Komuniteti Mysliman i bën thirrje të gjithë klasës politike dhe grupeve të interesit të gjejnë rrugën e përbashkët dhe të bien në konsensus për reformën në drejtësi, duke marrë parasysh interesin kombëtar dhe mbarëshoqëror. “Ne jemi përkrah çdo nisme e cila i shërbën shoqërisë shqiptare dhe që sjell zhvillim dhe prosperitet në vendin tonë”, mbyllet deklarata.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?