Komuniteti Rom në Fier paralajmëron protesta: Askush nuk na përkrah
Në Drizë të qytetit të Fierit më shumë se 750 familje të komunitetit rom shprehen të gatshëm për të dalë në protesta pasi ndjehen të neglizhuar nga bashkia.
Ata shprehen se Bashkia e Fierit ka ndërmarrë disa projekte, madje dhe në emër të komunitetit të tyre në lidhje me përkrahje në arsim, përkrahje sociale, banesa e plotësimin e kushteve minimale të jetës, por deri më sot asnjëri nuk është vënë në zbatim.
Ditën e sotme familjet e përfshira në projekt miratuar në vitin 2009, janë shprehur për Fax News se ndihen të përdorur dhe të fyer që deri më sot asnjë nuk është realizuar.
Ish-kryeplaku, Isuf Alushi shprehet se letra dhe të dhëna merren gjithmonë nga grupe pune në terren por gjithmonë këta banorë mashtrohen. Panajot Alushi i cili është përfaqësuesi ligjor i komunitetit i ka bërë thirrje për reagim Bashkisë së Fierit, ose ata do t’i rikthehen protestave.