Koncesion i ri për hidrokarburet, vendimi i qeverisë: “Fiskalizimi do të monitorohet nga kompani private”

Mbikqyrja dhe kontrolli i çdo tatimpaguesi në fushën e tregtimit të hidrokarbureve sipas procedurave të fiskalizimit do të bëhet nëpërmjet sistemit të monitorimit, i cili do të ofrohet, instalohet dhe mirëmbahet nga operatorë privatë të autorizuar. Këshilli i Ministrave i ka hapur rrugën dhënies me koncesion të këtij shërbimi, ndërkohë që sipas vendimit të miratuar në datën 24 dhjetor 2020, numri i operatorëve ekonomikë që do kenë të drejtë të pajisen me autorizim, kufizohet në jo më shumë se 3.

Sipas vendimit, do të jenë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve autoritetet përgjegjëse për pajisjen me autorizim të shoqërive private që do ofrojnë shërbimin. Ministri i Financave dhe Ekonomisë do të përcaktojë tarifat tavan të instalimit dhe mirëmbajtjes së sistemit të monitorimit të hidrokarbureve nga operatorët privatë, ndërkohë që në zbatim të këtij çmimi tavan tarifat e shërbimit do të përcaktohen nga operatorët privatë të autorizuar.

Vendimi përcakton edhe të gjitha kriteret që duhet të përmbushin kompanitë private, ndërkohë që kohëzgjatja e autorizimit do të jetë 10 vjet. Miratimi i tij vjen në kuadër të procesit të fiskalizimit, ku për qarkullimin në fushën e hidrokarbureve është përcaktuar se sistemet e reja fiskale janë të detyrueshme për t’u instaluar dhe për t’u përdorur nga tatimpaguesit, duke filluar nga data 1 shtator 2021./ SCAN

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?