Konfederata e Sindikatave mirëpret vendimin e qeverisë për krijimin e Inspektoratit Qendror të Punës
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) mirëpret dhe mbështet vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e Inspektoratit Qendror të Punës (IQP) dhe organizimin e tij në një strukturë qendrore dhe pesë drejtori rajonale.
Në njoftimin për shtyp KSSH shprehet se edhe pse ky vendim është marrë pa një proces të plotë konsultimi me partnerët socialë dhe organizatat sindikale, e konsideron krijimin e këtij institucioni si një hap të domosdoshëm dhe një kërkesë të kahershme të lëvizjes sindikale shqiptare.
KSSH vlerëson se organizimi i ri i Inspektoratit është më funksional dhe krijon mundësi për një qasje më efektive në mbikëqyrjen e marrëdhënieve të punës. “Megjithatë, reforma institucionale duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me ndryshime dhe plotësime të legjislacionit të punës, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe konventat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), duke garantuar pavarësinë funksionale të inspektimit, profesionalizmin e inspektorëve dhe zbatimin e barabartë të ligjit”.
KSSH rithekson se mbështet çdo reformë, institucion apo mekanizëm partneriteti të ndërmarrë nga qeveria, punëdhënësit publikë dhe privatë, për aq kohë sa ai i shërben interesit publik, mbrojtjes së qytetarëve dhe të drejtave të punëtorëve shqiptarë. Institucionet e shtetit duhet të jenë në shërbim të ligjit, drejtësisë sociale dhe interesit publik, e jo në funksion të interesave të ngushta politike apo ekonomike.
KSSH do të vazhdojë të ndjekë nga afër procesin e ngritjes dhe funksionimit të Inspektoratit Qendror të Punës, duke kërkuar përfshirjen e partnerëve socialë në hartimin e akteve nënligjore dhe në monitorimin e zbatimit të kësaj reforme, me qëllim që ajo të sjellë rezultate konkrete për punëmarrësit dhe botën e punës në Shqipëri.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

