Konfirmohet takimi i fshehtë Edi Rama- Lulzim Basha

 
 
 
Është folur për një takim të fshehtë Edi Rama-Lulzim Basha në Vjenë ku "Koha Jonë" pati hapur gazetën një muaj më parë. Informacione të rezervuara thanë se takimi ishte bërë në Vjenë dhe me negociatorë të fuqishëm nga fusha e biznesit e medias. Njëri prej këtyre organizatorëve është një miliarder në Shqipëri, por kryeministri Rama e hodhi poshtë faktin që ai të jetë takuar me kreun e opozitës. Edhe Basha tha se nuk është bërë një takim i tillë. Të dy krerët e partive reaguan të shqetësuar ndaj idesë se një pakti mes tyre dhe për të fshehur të vërtetën, në deklaratat që kanë dhënë, janë munduar ta kalojnë me humor mundësinë e shtrëngimit të duarve mes tyre, duke thënë se është diçka e pamundur. Por ka ndodhur takimi.
Rama dhe Basha po përdorin të gjitha format e komunikimit publik për të thënë se mes tyre nuk ka “paqe” dhe se janë kundërshtarë të egër politik. Kjo këmbëngulje për të thënë se nuk kanë komunikim, duket se fsheh të vërtetën. Realisht takimi mes dy politikanëve është diçka normale, madje do ishte shenjë emancipimi dhe kulture mes tyre nëse takimi bëhet për interesa të reformave të vendit. Dhe kur bëhet publikisht e jo skutave në Vjenë. Por fakti që e fshehin ka të bëjë se takimi nuk lidhet me marrëveshje, por me pazare personale politike. Dhe këto pazare të bëra mes tyre nuk po i nxjerr vetëm media por vetë ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Kështu, në një intervistë të dhënë dy ditë më parë në “Ora News”, Berisha jo vetëm ka pranuar komunikimin mes Bashës dhe Ramës, por ka dëshmuar se negociatat kryesore janë përqendruar tek ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe synojnë dëmtimin e partive të tjera. Berisha nuk e thotë, por pas fjalës “të tjera” është Lëvizja Socialiste për Integrim. Mes shumë reformave që kërkon të bëjë Partia Socialiste është dhe ajo e ndryshimi të Kodit Zgjedhor. Pika që ka kërkuar Rama është që partia e cila fiton shumicën e deputetëve për të qeverisur, të marrë me sistemin prim apo me një formë të re proporcionali numrin e deputetëve që i duhet për të krijuar qeverinë. E thënë me thjesht, nëse PS-ja në zgjedhje merr 60 deputetë dhe PD-ja 50, për të krijuar qeverinë Partia Socialiste nuk ka nevojë të krijojë koalicion, por me sistemin prim merr edhe 11 deputetë për të krijuar shumicën qeverisëse. Pra, Rama dhe Basha janë drejt një marrëveshje që heq qafe nevojën e koalicionit dhe praktikisht, viktima e parë e një sistemi të tillë është Lëvizja Socialiste për Integrim. Pra 270 mijë votat e LSI të këtij viti kanë frikësuar të dyja partitë, por veçanërisht PS-në. Ndaj Rama është vënë nën alarm dhe ka filluar të lëvizë që të ndryshojë sistemin zgjedhor pa LSI, por duke kërkuar pazar me PD. Ky skenar është zbardhur vetë nga Berisha, i cili i pyetur për sistemin prim dhe uljen e numrit të deputetëve nga 140 në 100 tha: “Nuk jam familjar me këtë ide. Mund të jenë më pak, domethënë ka ide të ndryshme, ka ide krijim senati, ka ide tkurrjeje, por ajo që jam dhe duhet t’i kthehem pak origjinës, se ky, Rama, është një njeri që për të fjala ‘karakter’ nuk ekziston. Se nga njëra anë, çon misionarë njëri pas tjetrit për të më thënë për primin dhe nga ana tjetër publikisht zotohet se është kundër primit. Natyrisht, eksperienca ime më bën mua që të shoh përtej kërkesave të tij, por primi p.sh, do të ishte në interes të vendit, kur ai bëhet pa një qëllim. Sepse në qoftë se primi bëhet me qëllim për të dënuar dikë tjetër, atëherë ato nuk shërbejnë. Po interesi i vendit në këtë mënyrë siç po shkon do ishte primi. Absolutisht, me qëndrimin që mbajti, të harrojë se mund të çojë më emisarë”.
Qëndrimi i Berishës fakton se pakti kryesor që kërkon Rama mbetet se si të eliminojë LSI-në e Ilir Metës nga pushteti i votave që ajo ka. Diçka të tillë sipas Berishës, po e kërkon vetë Rama. Kjo shpjegon dhe sulmet që prej disa muajsh janë orkestruar ndaj Metës dhe LSI-së. Ndërsa ndryshimi i sistemit zgjedhor asfikson LSI-në dhe e nxjerr jashtë loje. Ky pazar mes tyre është bërë pa lejen e Berishës dhe negociatorë kanë qenë një miliarder e një person që e mban mirë me gjithë pushtetet. Kjo shpjegon se pse janë bërë shumë sulme ndaj Metës pas zgjedhjeve lokale. Së fundi, Berisha pranon dhe ekzistencën e emisarëve dhe negociatorëve që po hartojnë detajet e marrëveshjes. Kur ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PD-së (për disa edhe kryetari real), Sali Berisha, pranon se ka negociatorë dhe diskutime, formalitetet e takimit dhe këmbëngulja e Ramës dhe Bashës se nuk kanë shtrënguar duart, është vetëm një detaj pa rëndësi. Prej një muaji, po mundohen t’i mbushin mendjen opinionit se nuk janë takuar, por po prej disa muajsh po bëjnë marrëveshje sesi të qeverisin (sipas radhës) pa pasur nevojë për LSI-në.
 
Berisha e nxori në publik, dhe jo rastësisht, faktin që Kryeministri Rama ka filluar të nis mesazhe në drejtim të PD-së që pas takimit të fshehtë në Vjenë me Bashën. Mundet që qeveria duhet të jetë në praghumnerë ndaj ka filluar edhe ndonjë lëvizje e PD-së në drejtim të Metës, duke e ulur dozën e sulmeve direkte ndaj tij. Mos ka kaluar topi nga dyshja Rama-Basha në Berisha-Meta-Basha? 

SHKARKO APP