Konflikt në Aeroportin e Vlorës: Valon Lluka mohon shkarkimin, akuzon Pacollin për devijime nga parimet e qeverisjes

Administratori i Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA Sh.p.k.”, Valon Lluka, ka reaguar pas raportimeve të medias ekonomike Kapitali mbi shkarkimin e tij nga detyra.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Lluka u shpreh se deri më tani nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar apo akt formal nga organet përgjegjëse, ndërsa lajmin e ka mësuar vetëm përmes raportimeve në media.

“Jam i befasuar nga këto informacione, pasi asnjë dokument apo vendim nuk më është komunikuar në mënyrë zyrtare. Deri në këtë moment, nuk kam dijeni për arsyet apo bazën ligjore të një vendimi të tillë”, tha ai.

Swiss Digital Desktop Reklama

Lluka hodhi akuza të forta ndaj biznesmenit dhe aksionerit kryesor të kompanisë, Behgjet Pacolli, duke e akuzuar për devijime serioze nga parimet e mirëqeverisjes korporative. “Menaxhimi i një investimi strategjik si aeroporti i Vlorës duhet të udhëhiqet nga transparenca dhe respektimi i ligjit. Çdo veprim i kundërt dëmton projektin dhe interesin publik”, nënvizoi ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ky zhvillim vjen në një moment delikat për aeroportin e Vlorës, një ndër projektet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri, ku pritet të përqendrohet një pjesë e madhe e flukseve turistike të jugut të vendit. Debatet e brendshme mes aksionerëve rrezikojnë të hedhin hije mbi ecurinë e projektit dhe afatet e funksionalizimit të tij

Më poshtë, deklarata e plotë:

Deklaratë publike mbi zhvillimet e fundit në lidhje me detyrën time si Administrator i Shoqërisë Vlora International Airport – VIA Sh.P.K.

Marr shkas nga raportimet dhe lajmet e shpërndara gjerësisht në media lidhur me shkarkimin tim nga pozita e Administratorit të Vlora International Airport – VIA Sh.p.k., pas një periudhe gati katërvjeçare në drejtimin e kësaj shoqërie me rëndësi të veçantë strategjike për shtetin shqiptar.

Që në fillim dëshiroj të theksoj se nuk jam njoftuar zyrtarisht për një vendim të tillë dhe nuk kam marrë asnjë akt apo komunikim formal nga organet kompetente të shoqërisë. Deri më tani, informacioni që disponoj buron vetëm nga raportimet mediatike. Si rrjedhojë, mbetem plotësisht i pa informuar mbi shkaqet dhe arsyet ligjore që mund të kenë motivuar një veprim të tillë.

Megjithatë, ju siguroj se në ushtrimin e detyrës sime si Administrator, kam vepruar gjithmonë në përputhje të plotë me Statutin e Shoqërisë, me Kontratën e Koncesionit, si dhe me të gjithë kuadrin tjetër ligjor e rregullator të zbatueshëm. Çdo vendim apo akt nga ana ime ka qenë i mbështetur mbi parimet e ligjshmërisë, transparencës dhe përgjegjësisë, me qëllim zhvillimin dhe përfundimin me sukses të këtij projekti strategjik dhe të rëndësishëm për shtetin shqiptar.

Thënë këtë, ajo që mund të komunikoj sot me bindje të plotë është se çdo arsye e mundshme nuk lidhet me performancën, përkushtimin apo ushtrimin e ndërgjegjshëm dhe me përgjegjësi të detyrave e obligimeve të mia si Administrator.

Në këtë kuptim, arsyet dhe motivet e një vendimi të tillë duhet dhe do të kërkohen nga aksionari që e ka ndërmarrë këtë vendim, e i cili përbën një devijim të rëndë nga parimet e qeverisjes së mirë korporative, normat etike dhe standardet profesionale që duhen respektuar në administrimin e një projekti të kësaj natyre.

Në kushtet aktuale, rezervohem dhe do të ushtroj të gjitha mjetet dhe rrugët ligjore të parashikuara, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të mia dhe të reputacionit tim profesional, si dhe për të sqaruar çdo keqkuptim apo interpretim të gabuar në opinionin publik.

Gjithashtu, deri në një njoftim tjetër, rezervohem të jap çdo qëndrim shtesë dhe ftoj mediat që këtë deklaratë ta konsiderojnë si përfundimtare.

Si përfundim, dëshiroj të theksoj se projekti i Aeroportit të Vlorës ka qenë dhe mbetet një projekt i një rëndësie të veçantë për mua personalisht dhe profesionalisht. Për gati katër vite kam punuar me përkushtim maksimal për të çuar përpara këtë projekt madhor, i cili tashmë ndodhet në fazën përfundimtare të punimeve dhe në prag të nisjes së operimeve.

Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për stafin e jashtëzakonshëm të VIA-s për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar, për institucionet publike shqiptare për mbështetjen dhe bashkëpunimin, për institucionet financiare që kanë besuar në këtë projekt dhe për nënkontraktorët e partnerët tanë, të cilët kanë kontribuar me profesionalizëm në realizimin e tij.

Me respekt, Valon Lluka

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?