Konflikti Izrael-Iran dhe Amerika

Nga Spartak Ngjela

Kjo është çështja me mprehtë dhe e rrezikshme njëherësh në rrafsh botëror. Duhet të jemi të qartë me historinë, sepse ngjarjet e Iranit janë një përsëritje e ngjashme me të gjitha ngjarjet e pushtimeve dhe luftrave për territore që janë bërë gjatë këtij qytetërimi. Dhe na duhet të theksojmë se qytetërimi aktual kuptohet se ende është me idenë fikse historike të pushtimit të territoreve.

I-Kurse Irani, tani, dihet se është një fuqi bërthamore. Një fuqi bërthamore është gjithashtu edhe Izraeli, dhe sidomos një e tillë me potencë të madhe është Amerika. Por në këtë luftë dihet se Amerika është në aleancë të fortë me Izraelin. Në një kohë që edhe Izraeli, edhe Irani; të dyja janë fuqi bërthamore. Por në rastin e tanishëm të Iranit, pyetja ka mbetur këtu: A do ta përdorë Irani bombën atomike kundër Izraelit?

Po SHBA, a do ta japë Izraelit bombën e saj sekrete që ka potencë shumë të fuqishme për të shkatërruar bunkerët e nëndheshëm, pavarësisht nga thellësia e tyre nëntokë? Por më e rëndësishmja mbetet të jetë kjo pyetje: Nëse SHBA-ja i bashkohet Izraelit në sulmet e tij dhe hedhin bomba kundër bunkerëve, a do të mjaftonte kjo për ta shkatërruar uzinën bërthamore në ‘Fordo’?”, pyetën zyrtarët dhe thanë se kjo pyetje është në mendjen e Trumpit. Po Izraeli që mendohet se dhe ai është fuqi bërthamore; a do të hyjë në një luftë bërthamore me Iranin?

Por çështja më e përgjithshme dhe më historike që vjen e na del përpara këtu, është kjo: në këtë luftë Izrael – Iran dihet se të dyja superfuqitë janë ndarë kështu: Irani është me Rusinë në mbështetjen e tij ushtarake; kurse Izraeli është në mbështetjen të Amerikës. Por, pikërisht nga kjo lloj ndarjeje, pyetja që e dominon të ardhmen e kësaj lufte është kjo: A do të kemi një përplasje ushtarake midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë? Ja, kjo është pyetja e rrezikut të madh, e cila vjen dhe kthehet në mundësinë e një marrëveshjeje midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë; por edhe Kinës, sepse edhe Kina dihet se me Iranin është.

Prandaj duhet të presim sipas pyetjes: a do ta na çojë në një luftë midis dy superfuqive lufta e sapofilluar midis Izraelit dhe Iranit? Jo, dhe prandaj na duhet të theksojmë se mundësia që e sheh këtë luftë si të realizueshme në fakt, sigurisht që do t’i çojë të dyja fuqitë, Rusinë dhe Amerikën, në një marrëveshje konkrete për shmangien e kësaj lufte fatale. Por a e shihni se si është përqendruar tani fati i njerëzimit vetëm në një pikë: në luftën Iran – Izrael?

Dhe duhet ta mendojmë gjithmonë se konflikti midis ebrejve dhe arabëve ka qenë dhe ka mbetur pika me e nxehtë e qytetërimit të sotëm. Por tani të dyja këto forca, edhe hebrejtë edhe arabët, kanë në dispozicion bombën bërthamore të prodhuar nga vetë ata.

II-Po Amerika a do të ketë mundësi ta zgjidhë këtë pikë tragjike të historisë duke e ndaluar një luftë bërthamore? Ta shohim, sepse historia erdhi aty ku kishin frikë shkencëtarët që nuk donin që të prodhohej bomba bërthamore. Por ajo u prodhua dhe u hodh nga USA në Japoni – në Hiroshima e në Nagasaki – dhe menjëherë Japonia e pranoi pushtimin nga Amerika në vitin 1945. Por ishte ajo luftë bërthamore dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që Japoninë po e shohim sot si një nga fuqitë më të mëdha të industrializimit dhe mendimit të zhvilluar njerëzor.

Po tani, në konfliktin që sapo ka nisur, a do të dominojë rreziku që përmendëm më lart? Tani askush nuk është më i sigurt, sepse janë disa shtete që disponojnë armën bërthamore. Dhe në luftën Iran – Izrael, të dy shtetet që janë në luftë mbeten njëherësh edhe fuqi bërthamore. Po politika për shmangien e kësaj lufte të rrezikshme, ku është përqëndruar? Politika aktuale botërore kuptohet se është e përqendruar si mendim dhe shpresë tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por këtu pyetja që vjen e ngrihet me qartësi në vetvete, është kjo: A do të jetë i aftë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump që ta përballojë politikisht dhe, me forcën e Amerikës në potencë, ta ndalojë këtë luftë kaq të rrezikshme për njerëzimin; e sidomos për qytetërimin evropian?

SHKARKO APP