Konflikti në Iran zbeh optimizmin ekonomik, Banka e Shqipërisë paralajmëron ndikim në rritje
Pak më shumë se 2 muaj luftë në Iran, ka ‘përmbysur’ parashikimet globale për ekonominë dhe çmimet në tërësi, e përjashtim nuk bën as Shqipëria, e cila deri më tani thotë Banka e Shqipërisë ka përjetuar vetëm një pasojë direkte; ‘shtrenjtim të karburantit’. Ndërsa pasoja indirekte, që nënkupton shtrenjtim të të gjithë zinxhirit të furnizimit deri të atij ushqimor ende janë të lehta. “Bazuar në informacionin aktual, konkluzioni është që ndikimi në ekonominë shqiptare do të jetë i moderuar në termat e rritjes së çmimeve, por do të jetë kalimtar dhe nuk do të lërë gjurmë afatgjata në trendet e zhvillimit të vendit”, thotë Erald Themeli, drejtor i Politikës Monetare në BSH.
Pavarësisht se situata aktualisht është në kontroll pritshmëritë janë që në muajt e ardhshëm inflacioni të kapërcejë mbi 3%. “Trendi i inflacionit do të ketë një rritje në 6-mujorin e dytë të vitit 2026 dhe ndoshta edhe në gjysmën e parë të 2027-ës rritje që do ta kalojë inflacionin mbi 3% që është objektivi i bankës së Shqipërisë. Por presim një rritje afatshkurtër mbi objektiv dhe të kontrollueshëm”, thotë Themeli.
Sinjalet e rritjes ekonomike kanë qenë pozitive për këto muaj të parë të vitit vlerëson Banka e Shqipërisë, por pritshmëritë janë të gjitha të varura nga kohëzgjatja e konfliktit në Lindjen e Mesme. “Parashikimet aktuale janë të rrethuara nga pasiguria e lartë të cilat burojnë nga tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Nëse do të kemi një përkeqësim të tensioneve dhe ndikimi në ekonomi do të jetë më i madh”, thotë Themeli.
Në një kohë të trazuar për mbarë botën nga lufta në Lindjen e Mesme, Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, 2.5% në mbledhjen e 6 majit, me argumentin se politika aktuale i përgjigjet zhvillimeve në treg.
KOHA JONË SONDAZH

