Ndërtimi i godinave të reja për administratën, Veliaj: Çdo investim i ri rrit vlerën e pronës dhe prodhon ekonomi

Në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u zhvillua sot në kryeqytet një Konkurs Ndërkombëtar, ku 10 studio prestigjioze paraqitën përpara jurisë projekt-idetë për 4 zhvillime të reja, të cilat do t’i hapin rrugë një qasje të re për krijimin e zyrave dhe shërbimeve bashkëkohore për administratën publike.

Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se këto konkurse janë tashmë një traditë që në kohën kur Edi Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe që e ka kthyer Tiranën në laboratorin më të madh të arkitekturës, të estetikës, të së bukurës dhe shijes që prodhon ekonomi.

“Tirana është sot hapësira ku jeton 40% e popullsisë së Shqipërisë, një hapësirë që prodhon 50% të ekonomisë së vendit. Kjo do të thotë se çdo investim në Tiranë, tamam si ata rrathët koncentrikë, ka fuqinë që të shumoher në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, tha Veliaj.

Ai renditi disa nga projektet që Bashkia e Tiranës ka bërë me urbanistikën dhe që kanë prodhuar ekonomi për vendin.

“Sot kemi stadiumin kombëtar, Pazarin e Ri, territore që kanë qenë territore të shkreta, por që kanë prodhuar ekonomi, përtej vetëm funksionit bazë të atij projekti. Ndërkohë, një fushatë e mbjelljes së pemëve dhe kujdesit ndaj mjedisit, që ka filluar që në vitet 2000 dhe ajo skuadër që drejtonte Bashkinë e Tiranës u shpërblye para pak javësh, kur Agjencia Evropiane e Mjedisit e cilësoi Tiranën një nga 10 kryeqytetet më të gjelbra. Kjo do të thotë se çdo investim tjetër duam ta shohim në këtë prizëm, se si është i gatshëm për të përballuar ndryshimet klimaterike të së ardhmes, se si e ul kontributin jo vetëm në energji, por edhe gjurmën e karbonit në qytetin tonë”, u shpreh Veliaj.

SHKARKO APP