Konsullatë turke në Vlorë, Şentop: Kontribut për zhvillimin e turizmit në jug
Kreu i asamblesë turke, Mustafa Şentop, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri tha se Turqia synon të zgjerojë investimet në vendin tonë, në veçanti edhe në sektorin e turizmit.
Në këtë kuadër, Sentop tha se procedurat për hapjen e kosullatës së Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Vlorë kanë përfunduar dhe kështu vendi i tij do të ketë një kontribut në zhvillimin e turizmit në jugun shqiptar.
”Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare përbëjnë një dimension të rëndësishëm të marrëdhënieve tona dypalëshe. Momentalisht shkëmbimet tregtare mes dy vendeve tona janë rreth 500 milionë euro.
Investimet turke në Shqipëri kapin vlerën e rreth 3.5 miliardë dollarë. Jemi të vendosur për ta ngritur këtë shkëmbim tregtar në nivelin e 1 miliard dollarëve brenda disa viteve. Kemi dëshirë dhe synojmë t’i rrisim e zgjerojmë investimet tona në Shqipëri, në veçanti në sektorin e turizmit.
Kanë përfunduar procedurat për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Vlorë dhe kështu do të kemi një kontribut në zhvillimin e turizmit në jugun shqiptar. Uroj që kjo vizitë të jetë e dobishme dhe të japë rezultate në dobi të interesit të marrëdhënieve tona”.