Kontrabandë mallrash e loto, kapet pronari i lokalit në Korçë

Aksioni kundër informalitetit ka mbërritur edhe në qytetin juglindor të Korçës. Një 64-vjeçar, pronar i një lokali, është arrestuar nga Policia e Korçës, pasi akuzohet për një sërë veprash penale.

Në pranga ka rënë shtetasi B. M., i cili sipas policisë, tregtonte mallra të dyshuara kontrabandë dhe organizonte lotari të palejuara në aktivitetin e tij privat të paregjistruar në organet tatimore.

Gjatë kontrollit në lokalin e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar pije (alkoolike dhe joalkoolike) pa dokumentacionin përkatës, të dyshuara si kontrabandë, si dhe një lap top, që dyshohet se e përdorte për organizmin e lotarive të palejuara.

Njoftimi i policisë:

Tregtonte mallra të dyshuara kontrabandë, si edhe organizonte lotari të palejuara në aktivitetin e tij privat të paregjistruar në organet tatimore, arrestohet në flagrancë pronari i një lokali.

Në kuadër e zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave, për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
• B.M, 64 vjeç, banues në Korçë.

Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë kanë ushtruar në ambjentet e lokalit në pronësi të tij në lagjen nr.8 në Korçë, për të cilin ky shtetas nuk posedonte dokument tatimor, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

-Një sasi pijesh (alkoolike dhe joalkoolike) pa dokumentacionin përkatës, të dyshuara si kontrabandë.
– Një kompjuter lap top, i cili dyshohet se përdorej nga shtetasi B.M, për organizimin e lotarive të palejuara.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, ”Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” , ”Organizimi i lotarive të pa lejuara” dhe ”Ushtrimi i aktivitetit tregtar të pa regjistruar në organet tatimore”.

SHKARKO APP