Kontrolle të befasishme nga forcat operacionale në burgun e Fushë-Kosovës në Lushnjë
Forcat operacionale të burgjeve kanë zhvilluar një tjetër aksion të befasishëm në institucionin penitenciar të Fushë-Kosovës në Lushnjë, në kuadër të kontrolleve intensive që po vijojnë prej disa javësh në burgjet e vendit. Operacionet synojnë goditjen e aktiviteteve të paligjshme dhe zbulimin e sendeve të ndaluara që mund të futen apo të mbahen brenda ambienteve të paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit.
Kontrollet janë ushtruar në disa qeli dhe ambiente të brendshme të institucionit, ku autoritetet kanë kryer verifikime të detajuara. Burime pranë sistemit penitenciar bëjnë me dije se gjatë javëve të fundit janë sekuestruar telefona celularë, lëndë narkotike në doza të vogla, si dhe sende të tjera të ndaluara, të cilat dyshohet se përdoreshin nga të burgosurit në kundërshtim me rregullat e institucionit.
Në një nga rastet më të fundit, kontrollet janë përqendruar në qelinë e një personi të paraburgosur për veprimtari të lidhura me narkotrafikun. Për shkak të dyshimeve dhe rëndësisë së rastit, operacionit iu bashkuan edhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Gjatë kontrollit të imtësishëm, autoritetet zbuluan një telefon celular të fshehur në kasën e derës së qelisë, çka ngriti dyshime për komunikime të paligjshme nga brenda burgut.
Pajisja e sekuestruar është dërguar për ekspertizë teknike, ndërsa pritet të analizohen komunikimet, kontaktet dhe të dhënat e ruajtura në telefon. Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë publike detaje të tjera mbi personat e përfshirë apo rezultatet përfundimtare të operacionit, ndërsa kontrollet në burgje pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim.
KOHA JONË SONDAZH

