Koronavirusi në Shqipëri që prej janarit?! Eksperti ISHP-së nuk e mohon: Duhet analiza serologjike

Koronavirusi mund të ketë qarkulluar në Shqipëri që prej janarit. Disa pamje skaneri të pacientëve me simptoma gripi janë të ngjashme me ato të një pacienti që sot është i konfirmuar me koronavirus. Për vërtetimin e këtij argumenti duhet që personave të dyshuar tu kryhet testi aerologjik.

Disa mjekë në Shqipëri kanë ngritur argumentin se koronavirusi ka qarkulluar në Shqipëri që prej muajit janar.

Ky argument lidhet me disa imazhe të skanerit të disa pacientëve të cilat anë të ngjashme me ato të një pacienti të konfirmuar me Covid 19.

Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, në një intervistë për Rtv Ora nuk i hodhi poshtë këto argumente, por nuk i cilësoi as vendimtare.

Dasho: Nga rezultatet e skanerave ne mund të dyshojmë por nuk mund ta përcaktojmë më saktësi se virusi ka ekzistuar në Shqipëri që në janar. Kemi radiologë shumë të njohur dhe të aftë si doktor Renato që ka iniciuar këtë diskutim. Në skanerat e pacientëve të kryer në janar ai ka konstatuar disa imazhe që janë të ngjashme me imazhet që kanë pacientët e konfirmuar si të infektuar me Covid. Imazhet flasin se mund të ketë një histori Covidi që në muajin janar në Shqipëri. Këto nuk mjaftojnë për të konfirmuar diagnozën.

Për konfirmimin e këtyre rasteve duhet të kryhen analizat serologjike për të parë nëse kanë antitrupat e koronavirusit apo jo.

Dasho: Konfirmohet vetëm me teste laboratorike dhe janë dy, kur personi është në stadet e para të infektimit është testi me tampon, ndërsa kur personi e ka kaluar sëmundjen është testi serologjik. Personat që u përkasin këto imazhe nëse sot kryejnë testine antitrupave dhe konstatohet se kanë antitrupa anti-Covid ky është faktor që flet që me të vërtetë se infeksioni ka ekzistuar në Shqipëri që në janar. Koha është e mjaftueshme që të jenë zhvilluar plotësisht këto antitrupa.

Për Dashon i gjithë ky argument, veç vlerës shkencore ka edhe rëndësi për të matur imunitetin në popullatë. Ai shprehet se një hapje më e madhe aktiviteteve dhe lëvizjeve do ti bënte mirë shoqërisë.

Dasho: E vlerësoj këtë debat që është hapur. Sa i takon mënyrës si popullata shqiptare ka reaguar ndaj epidemisë ka vlerë sa i takon shkallës së imunitetit të grupit që është krijuar. Nëse Covid-19 ka ekzistuar që para 4 muajsh numri i personave të prekur do të jetë më i madh dhe shkalla e imunitetit të grupit do të jetë më e fortë. Po kështu edhe komuniteti shkencor është shumë i interesuar të bëjë dallimet se kur ka filluar epidemia dhe kur është konstatuar në një vend. Ju e dini që në Kinë ka debat se epidemia ka filluar që në tetor apo nëntor ndërkohë që rezultatet e para u panë në fund të dhjetorit.

Por nëse koronavirusi ka qarkulluar në Shqipëri që prej janarit, për ekspertët e Shëndetit Publik kjo nuk do të thotë fshehje e qëllimshme.

SHKARKO APP