Koronavirusi, shkrimtari: I shqetësuar nga papërgjegjësia kolektive e qytetarëve

Shkrimtari Albatros Rexhaj duket i shqetësuar për situatën e krijuar nga koronavirusi.

Në një lidhje me Skype nga Prishtina për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Albatros Rexhaj thotë se qytetarët po tregohen të papërgjegjshëm me veprimet e tyre për situatën e koronavirusit.

Sipas tij, problemi qëndron tek brezi i madh në moshë, pasi nuk e konsiderojnë të vlefshëm informacionin që lexojnë në internet për atë çfarë po ndodh në botë. Ndërsa, për brezin e ri, Rexhaj shprehet se është i informuar edhe e ka marrë me seriozitet situatën e koronavirusit.

“Legjitime është që jam i shqetësuar edhe jam shumë shumë i shqetësuar me gjithë këtë zhvillim që është duke ndodhur. Më tepër jam i shqetësuar me këtë papërgjegjësinë kolektive që po e tregojmë. Po sillemi pothuajse sikur nuk po e shohim më botën, sikur nuk kemi internet sikur nuk kemi mundësi t’i ndjekim lajmet, t’i shohim përvojat e popujve të tjerë. Dhe sillemi akoma thuajse se jemi në një tullumbace të madhe.

Brezi më i ri e pranon informacionin nga jashtë, brezi më i madh e sheh si një propagandë në mënyrë të pandërgjegjshme. Edhe e refuzon atë materialin që vjen nga jashtë. Mendoj që është dhe konflikti i gjeneratave. Por që njerëzit duhet të jenë të shqetësuar, duhet të jenë të shqetësuar. Mjafton të shikojnë çfarë po ndodh në botë edhe aty janë të gjitha përgjigjet”, u shpreh shkrimtari Albatros Rexhaj.

SHKARKO APP