Korridori VIII, Ministri Hoxha nga Sofja: Shqipëria ka hyrë në fazën e zbatimit

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi nga Sofja se Shqipëria ka hyrë në fazën e zbatimit të Korridorit VIII, duke theksuar se tani është koha që angazhimet politike të kthehen në rezultate konkrete.

Hoxha mori pjesë në Konferencën për Korridorin VIII, të organizuar nga ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova. Konferenca u zhvillua pas takimit ministror të mbajtur në Tiranë në shkurt të këtij viti, ku, sipas tij, u përcaktua vizioni i përbashkët politik për këtë projekt.

“Sot, në Sofje, fokusi ynë është i qartë: ta kthejmë angazhimin politik në zbatim konkret. Suksesi i Korridorit VIII nuk do të matet me deklarata, por me zbatimin. Për Shqipërinë, kjo do të thotë të ndërtojmë një korridor të vetëm, plotësisht funksional, dhe jo një seri projektesh kombëtare të palidhura”, u shpreh Hoxha.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ministri theksoi se Korridori VIII është shumë më tepër se një projekt transporti, duke e cilësuar një portë strategjike Lindje-Perëndim që lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe afron ekonomitë, rrjetet energjetike, interesat e sigurisë dhe të ardhmen europiane të vendeve të rajonit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas tij, projekti do të sjellë lidhje më të mira, më shumë tregti, ulje të kostove të transportit, më shumë investime dhe konkurrueshmëri më të lartë, ndërsa theksoi se ndërlidhja është tashmë e lidhur ngushtë edhe me sigurinë.

Hoxha nënvizoi gjithashtu rëndësinë e avancimit të lëvizshmërisë ushtarake dhe të koordinimit më të ngushtë mes Bashkimit Europian dhe NATO-s për infrastrukturën me përdorim të dyfishtë.

Ai bëri thirrje për një listë të qartë projektesh prioritare, afate realiste dhe mekanizma monitorimi, duke theksuar se suksesi i Korridorit VIII do të matet nga rezultatet konkrete për qytetarët.

“Shqipëria nuk është vetëm e angazhuar; ne kemi kaluar në fazën e zbatimit. Do të bëjmë pjesën tonë për ta kthyer Korridorin VIII nga vizion në realitet”, deklaroi ministri.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?