Korriku ”përgjaku” rrugët, 146 aksidente
Shtimi i mjeteve në akset rrugore si pasojë e pushimeve verore, por edhe i turizmit, ka rritur numrin e aksidenteve në vend. Korriku shënon numrin më të lartë në raport me 7 muajt e parë, teksa u regjistruan 146 raste me një rritje 16,8%.
Është sjellja e drejtuesit të mjetit që ka ndikuar në rritjen e rasteve të aksidenteve. 191 të vrarë dhe të plagosur janë regjistruar në muajin korrik, ndërsa vdekshmëria arriti në 9,2 për 100 aksidente.
Ndonëse në muajin me më shumë aksidente, ishin të rinjtë shkaktarët kryesor. Grupmosha 25-34 vjeç “përgjakën” rrugët e Shqipërisë, pasuar nga nga të rinjtë e moshës deri në 24 vjeç. Më shumë aksidente kanë ndodhur ditën e mërkurë dhe të hënë në oraret e drekës dhe të mbrëmjes.
Në krye të listës së aksidenteve qëndron Qarku i Tiranës me 37 të tilla, pasuar nga qytetet bregdetare si Durrësi e Vlora me përkatësisht 30 dhe 25 aksidente. Më pak aksidente janë regjistruar në Dibër e Kukës. Deri në muajin korrik në Shqipëri janë regjistruar 913 aksidente.