KQZ: Shqetësuese vonesa e ngritjes së Komisioneve Zonale

Nëse para zgjedhjeve lokale nuk ka pasur deri tani debate mbi kreun e KQZ-së, apo për anëtarët tij, ka ankesa nga kjo e fundit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ripërsëritur sot shqetësimin për vonesat në ngritjen e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor.  Zëdhënësja e KQZ-së apeloi ndaj njësive të qeverisjes vendore për të dërguar pranë këtij institucioni propozimet e tyre për krijimin e KZAZ-ve. Duke rikujtuar afatin e fundit për konstituimin e KZAZ-ve që është 14 prilli, zëdhënësja tha se, deri tani vetëm 41 bashki kanë sjellë propozimet e tyre, ndërsa ende nuk ka seli të përcaktuara për 37 Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor.  Disa ditë më parë, edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit shprehu shqetësimin për vonesat e theksuara për konstituimin e KZAZ-ve, që sipas tij, “janë dhe një mundësi potenciale për cenimin e garancive të zgjedhësve për një proces të drejtë e të rregullt zgjedhor”. Ashtu si në zgjedhjet e kaluara parlamentare, edhe në këto zgjedhje KQZ do të drejtohet nga Lefterie Lleshi.

SHKARKO APP