Kreditë e buta, mundësi strehimi dhe për të dëmtuarit e tërmetit
Një mijë familje do të përfitojnë strehim në Tiranë përmes kredisë së butë. Këtë vit, ky projekt mbulohet financiarisht nga qeveria dhe prioritet do të jenë familjet që u janë prishur shtëpitë për shkak të projekteve publike dhe çiftet e reja.
Nënkryetarja e bashkisë, Anisa Ruseti, sqaron për A2 se edhe familjet e dëmtuara nga tërmeti mund të bëhen pjesë e këtij projekti krahas atij të rindërtimit.
“Mund të aplikojnë në të dyja rastet automatikisht. Ky lloj aplikimi mbyllet më 28 shkurt. Çdo qytetar ka të drejtë të shkojë në çdo njësi administrative dhe të plotësojë formularin”, shprehet Ruseti.
Pas tërmetit të 26 nëntorit, 2400 familje në kryeqytet marrin bonus qiraje. Numri dy i bashkisë deklaron se pagesa do të vijojë deri sa familjet e dëmtuara të sistemohen në banesat e tyre.
“Bonusi do të vazhdojë deri sa familjet të përfitojnë nga një tjetër program. Këtu kemi edhe rastet kur pallati është shpallur i pabanueshëm dhe me anë të fondit të rindërtimit do të duhet që pallati t’i kalojë një rikonstruksioni total dhe familjet do të duhet të kthehen aty”. Në momentin kur kanë siguruar një strehim të qëndrueshëm, do të ndërpritet bonusi i qirasë, në të kundërt do të duhet vazhdojë deri kur të jetë e nevojshme”, tha për A2 Anisa Ruseti, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës.
Të hënën e 17 shkurtit, në të gjitha njësitë bashkiake të kryeqytetit nisi aplikimi për strehimin përmes kredisë së butë. Ky proces do të zgjasë 1 muaj.