Kreu i Dhomës Amerikane: Paketa e ndihmës duhet të rritet, bizneset përballen me presion të lartë

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaçe, foli në një lidhje me “Skype për News24 për krizën e koronavirusit, ndikimin e saj te bizneset, paketat e ndihmës të qeverisë shqiptare, si dhe për mënyrën si po e menaxhon qeveria krizën e koronës në Shqipëri.

Zyrtari i lartë deklaroi se koronavirusi nuk ka dëmtuar shumë anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë, pasi sipas tij, asnjë kompani nuk ka falimentuar dhe as ka në plan të falimentojë, si dhe papunësia është në nivele shumë të ulëta, vetëm 1.9%.

Sa i takon paketave ekonomike të qeverisë Rama, Jaçe theksoi se sa i takon përmbajtjes së tyre, janë implementuar kërkesat kryesore të biznesit, ndërsa për sa i përket përmasave, duhet të rriten në fazat e tjera.

Ndërkohë, duke u ndalur te menaxhimi i kësaj situate nga qeveria shqiptare, Presidenti i Dhomës Amerikane tha se krizën shëndetësore qeveria e ka menaxhuar shumë mirë, duke marrë masa deri drastike. Por, sipas tij, këto masa të forta mund të kenë impakt në ekonomi, edhe pse për krizën ekonomike, ai deklaroi se duhet folur në muajt në vijim.

Intervista:

Pse u zhvillua kjo anketë dhe çfarë konkluzionesh keni marrë?
Qëllimi kryesor i anketës ishte që të vlerësonim impaktin që kriza e koronavirusit do të kishte në lidhje me anëtarët tanë, por edhe një lloj spiraleje që kjo krizë do të kishte në ekonominë shqiptare. Kjo anketë përfaqësoi 78% të anëtarëve tanë, një numër shumë i lartë. Duhet të kemi parasysh që këta janë drejtues të lartë. Kemi dy konkluzione kryesore: së pari, shohim një shifër, e cila është shifra e punësimit, e vendeve të punëve të humbura, që ka qenë shumë më e ulët nga ajo që ne prisnim. Anëtarët tanë i japin një rëndësi shumë të madhe punësimit.

I japin një vlerë të madhe forcës së tyre punonjëse dhe e cmojnë si kapitalin më të rëndësishëm. Kjo na ka bërë të ndjehemi më të fortë. Por, kemi edhe një shqetësim, që ka të bëjë me një numër të parashikuar në të ardhmen, që fatkeqësisht është më i lartë se numri i punonjësve që kemi humbur deri tani. Parashikohet të humbasim 666 njerëz në muajin e ardhshëm, që përbën pak më pak se 50% të gjithë forcës punonjëse.

Cilët janë sektorët që e kanë ndjerë më shumë krizën?
Sektorët më të prekur kanë qenë turizmi, ndërtimi, shërbimet dhe transporti, por sqetësimi ynë më i lartë është për turizmin dhe shërbimet.

A ka shpallur ndonjë kompani falimentimin?

Nuk kemi asnjë nga anëtarët tanë që ka shpallur falimentimin, dhe asnjë nuk ka në plan të shkojë në falimentim. Megjithatë, nuk e përjashtoj faktin që do të kemi raste të tilla në të ardhmen. Numri total i punonjësve që kanë humbur vendin e punës është 1.9%.

Kush janë anëtarët, ka dhe shqiptarë apo vetëm kompani amerikane?
Janë tre kategori kryesore, brende të njohura amerikane, që operojnë në Amerikë, por edhe në vende të tjera, kompani të tjera amerikane, si Vodafone etj, por kemi dhe një kategori tjetër organizatash e kompanish shqiptare, që kanë lidhje tregtie me SHBA, ose aspirojnë të rrisin tregtinë me SHBA.

A ka reflektim të shqetësimeve që ju keni paraqitur në paketën e dytë të qeverisë dhe a është e mjaftueshme kjo paketë?
Do t’i kategorizoja ato më tepër si propozime, dhe jo si kërkesa. Kemi një perspektivë, të parë në dy këndvështrime, lidhur me përmbajtjen dhe përmasën e paketës. Në lidhje me përmbajtjen, shtyrja e pagesës së taksave më 2020, si dhe shtrirja e të gjitha pagesave të papunësisë për çdo lloj punonjësi, u adresuan në paketën e dytë të qeverisë. Kemi vënë re shenjat e para positive nga komuniteti jonë në lidhje me përdorimin e paketës. Në lidhje me përmasën, mendoj se përmasa e ndihmës ekonomike duhet të rritet, por mendoj se qeveria do ta lejojë rritjen në fazat e tjera.

Cfarë duhet të bëjnë bizneset tani, që t’i përshtaten kësaj situate?
Bizneset duhet të trajtojnë problemin imediat që kanë. Ato përballen me një rrisk, me një presion të lartë. E para që duhet të bëjnë dhe që po bëjnë, është të mundohen të përballojnë situatën me mënyra të ndryshme, në mënyrë që të dalin me humbje sa më të ulta dhe kosto të ulëta. Por, duhet të fillojnë të mendojnë për periudhën kur ekonomia do të rihapet. Kjo nuk do të jetë një ekonomi njësoj si ajo që kishim, do të kemi normalitet të ri, që do të funksionojë me rregulla të reja. Do kemi tregje, që do kërkojnë mënyra të tjera funksionimi. Besoj kanalet digjitale do të kenë përparësi më të lartë. Kompanitë duhet të bëjnë një adaptim, gjatë kësaj kohe, pasi do të përfitojnë.

Si e shihni amnistinë fiskale?
Nuk kemi një opinion zyrtar akoma, sepse presim të shikojmë draft-ligjin e plotë të amnistisë. Mendoj se janë dy parime të rëndësishme, konsultimi me grupet e interesit dhe konsultimi me ndërkombëtarët.

A do të ndikojë kjo situatë në frenimin e investimeve të huaja në Shqipëri?
Nuk mendoj se ka një lidhje direkte. Në këtë moment kemi vënë re dy tendeca të rëndësishme: vende të pasura me fonde të mëdha mund të kenë tendencë të orientohen drejt ekonomive të tyre, por investimet private tentojnë të shohin opurtinitete të ndryshme në vende të ndryshme. Shqipëria duhet të bëjë maksimumin për të përfituar në lidhje me tendencën e dytë. Është shumë e rëndësishme që menaxhimi i investimeve të bëhet me shumë kujdes.

Si është menaxhuar situata në këtë kohë pandemie në Shqipëri, si kanë ndikuar masat?
Unë do ta ndaja në dy elementë, në menaxhimin e krizës shëndetësore dhe asaj ekonomike. Kriza shëndetësore, mendoj se Shqipëria hyn te vendet që e ka menaxhuar mirë. Janë marrë masa drastike, por ato kanë frenuar përhapjen e virusit, mbajtjen e kurbës në nivele të ulëta. Masat e forta kanë një impakt shumë të fortë në ekonomi, dhe sa më të forta të jenë, aq më i madh është impakti në ekonomi. Është pak herët për të folur për krizën ekonomike, por ky menaxhim duhet bërë me një menaxhim sa më të mirë.

SHKARKO APP