Kreu i Gjykatës Evropiane: Shqipëria të forcojë gjyqësorin

 

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori zhvilloi një vizitë zyrtare në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg, ku është pritur nga presidenti i kësaj gjykate, Koen Lenaerts.

Lenaerts shprehu vlerësimet e tij për progresin që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës, zhvillimit dhe progresit ekonomik si dhe përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarit.

“Drejt këtyre standardeve ecet me politika të përbashkëta të cilat përfshijnë edhe vendet kandidate, por gjithmonë duke ruajtur vlerat kombëtare si pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit”, theksoi ai.

Megjithatë, ai theksoi nevojën e forcimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, rritjen e besimit të publikut tek drejtësia, rritjen e transparencës dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit në Shqipëri. Lenaerts vuri në dukje se Gjykata e Drejtësisë garanton zbatimin e të drejtës së BE­së dhe barazinë e të gjithë shteteve anëtare përpara ligjit.

Në këtë drejtim, ajo bashkëpunon me gjykatat kombëtare dhe për këtë arsye, këto të fundit duhet të bashkëpunojnë me këtë gjykatë veçanërisht në paraqitjen e çështjeve paragjykimore. Por zbatimi i të drejtës së BE., vlen jo vetëm për sistemin gjyqësor, por edhe pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv duhet të marrin masat e nevojshme për implementimin e tij.

Nga ana e tij, Kryetari Zaganjori falenderoi për pritjen e ngrohtë që iu rezervua delegacionit shqiptar, duke vënë theksin tek sfidat me të cilat përballen sot gjykatat shqiptare.

Sipas tij, në kuadër të detyrave të progres raporteve të BE­së, Shqipëria ka vijuar reformat jo vetëm për të realizuar pritshmëritë e Bashkimit Evropian, që kanë të bëjnë me forcimin e pavarësisë, eficiencës së sistemit gjyqësor si dhe realizimin e një shërbimi cilësor ndaj publikut. 

SHKARKO APP