Kreu i Kishës Katolike, Dodaj: Trishtim për sulmin e Famullisë Latine në Gaza nga bombardimet izraelite
Kreu i Kishës Katolike shqiptare, Imzot Arjan Dodaj dënon sulmin e ndodhur mëngjesin e kësaj të enjteje, 17 korrik, ndaj Famullisë Latine të Familjes së Shenjtë në Gaza. Në reagimin e tij, Imzot Dodaj i bashkohet trishtimit të shprehur nga Papa Leoni XIV. “Nuk u kursye nga bombardimet as Famullia Latine e Familjes së Shenjtë”, thekson Dodaj për ”Tv Klan”.
”Ne si Kishë Katolike, përjetojmë të njëjtin trishtim që ka shprehur sot edhe Papa Leoni XIV mbi ngjarjen e sotme në Kishën Katolike në Gaza. Nuk u kursye nga bombardimet as Famullia Latine e Familjes së Shenjtë. Ne lutemi për paqen në atë tokë të vuajtur. Lutemi për viktimat, shprehim ngushëllimet për familjet e tyre dhe Zoti i ndriçoftë zemrat e atyre që kanë përgjegjësi”,-tha më tej.
Një thirrje e ka edhe për komunitetin ndërkombëtar, që të bëjë gjithçka për të ndalur këtë gjakderdhje. ”Pas pothuajse dy vitesh lufte, ka akoma shumë pengje izraelite larg familjeve të tyre që presin të lirohen dhe mijëra palestinezë të vrarë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndalur këtë gjakderdhje të tmerrshme”. Nga sulmi ajror i ndodhur këtë të enjte humbën jetën dy persona, ndërsa gjashtë të tjerë mbetën të plagosur.
KOHA JONË SONDAZH

