Kreu i Operatorëve Turistikë zbulon si do të pushojmë këtë verë

Turizmi është një nga sektorët e goditur rëndë nga pandemia e Covid-19. Kreu i Operatorëve Turistikë Shqiptarë, Rrahman Kasa tregon disa nga çështjet më të rëndësishme për të cilat u diskutua në takim.

“Jemi në kushtet kur turizmi ndodhet në pikiatë që prej tërmetit dhe tani jemi në një goditje akoma më të madhe ku me mbylljen e kufijve nuk ekziston më termi turizëm. Ne kërkuam të marrim një plan masash për hapjen graduale të këtij sektori, që konsiston në hartimin e një rregulloreje të bazuar në protokollet e OBSH ku të përfshihen të gjithë llojet e turizmit; atij individual, të brendshëm, të organizuar në mënyrë që ne si biznes nga ana jonë të jemi gati. Ne duhet të jemi koshientë se nuk do të jetë turizëm si çdo vit, do jetë në monitorim të rreptë të masave higjienike, sepse vetëm kështu mund të mos bëhemi shkak për vatra epidemie”.

Nga ana tjetër, Kasa sqaroi se monitorimi duhet të nisë që nga aeroporti, mjeti që do të përdoret për transportin e turistëve që sipas tij duhet të përshtaten me situatën, e deri tek chek-in dhe menya individuale në restorante.

“Protokolli nis që nga aeroporti, transporti me mjete që është mirë të ndahen me “pleksi glas” që të shmangen kontaktet. Kjo duhet të jetë pjesë e agjencisë pritëse, në bashkëpunim me ata që kryejnë shërbimet. Nëse do të kemi një hapje nga fundi i majit, këto struktura duhet të jenë të gatshme, transporti të jetë i përshtatur e më pas kalohet tek shërbimi hotelier. Në holl të respektohet distanca, po kështu do procedohet në restorante. Do eliminohet shërbimi me menu të përbashkët në formë bufeje, karriget e një tavoline duhet të kenë një distancë 1,5 metra nga njëra-tjetra”.

SHKARKO APP