Kreu i PD në Lushnje i përgjigjet Braçes: Tani dorëzo mandatin

 

Deputeti socialist në Qarkun e Fierit, Erion Braçe u shpreh sot në Kuvend se nuk është shkarkuar nga puna asnjë mësues për motive politike. Ai bëri edhe një deklaratë të fortë kur tha se nëse provohet të ketë ndërhyrë në Zyrën Arsimore për të shkarkuar apo emëruar, dorëzon mandatin e deputetit. “Nëqoftëse ju gjeni një copë letër ku të jetë urdhri im apo i cilit do prej kolegëve të mi të Lushnjes që të thotë hiq këtë ose vër atë unë dorëzoj mandatin sot”, u shpreh Braçe.

Por, nga ana tjetër, kryetari i degës së Partisë Demokratike në Lushnje, Myslim Murrizi ka publikuar në faqen e tij të Facebook, dokumentet origjinale të Zyrës Arsimore të Lushnjes, për punësimet në arsim përmes ndërhyrjes së deputetëve dhe mes tyre është edhe emri i socialistit, Erion Braçe. Murrizi thotë se është shtyrë të publikojë dokumentet origjinale prej akuzave të deputetit, ndërsa shton se nuk trembet nga “laraskat” e parlamentit dhe as klithmat e lloj-lloj “zogu” deputet. Në këtë listë bien në sy gjithashtu emrat e deputetëve Petrit Vasili, Arben Çuko dhe Bujar Çela, madje edhe kryetari i Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe.

“Nuk do doja t’i publikoja origjinalet jo se më trembin “laraskat” e parlamentit, por më shumë më vinte keq për emrat e mësuesve. Kam dy ditë që dëgjoj lloj- lloj klithme “zogu” deputet. Të nderuar deputetë të mazhorancës ju që keni emrat këtu dhe ju që nuk i keni. Nëse doni të vërtetën dhe keni kurajën moralin dhe ndershmërinë që thoni, i keni të gjitha mundësitë ose nëpërmjet një komisioni hetimor ku ju te gjithë të jeni anëtarë dhe merrni një deputet të opozitës për dëshmitarë ose nëpërmjet ministrit tuaj të drejtësisë i cili ligjërisht ka akses në kontrollin e dosjeve gjyqësore”.

Sipas tij, lista e publikuar nga dega lokale e PD është siguruar nga dosja gjyqësore e ish drejtoreshës së Arsimit, Luiza Tabaku, e cila sipas tij i kishte shënuar me kujdes në bllokun e saj.

“Të gjitha këto që po postoj tani i keni në dosjen gjyqësore të ish drejtoreshës së dënuar Liza Tabaku dhe të shënuara me kujdes në “BLLOKUN” e famshëm të saj i cili gjendet në materialin hetimor të Prokurorisë Lusnje i dërguar si provë në dosjen e saj gjyqësore para Gjykatës. Ju e mashtruat atë të pranojë gjykimin e shkurtuar duke i premtuar që do ta ndihmonit vetëm e vetëm që të mos ishit në sallën e gjyqit një nga një si “zogjtë” për ty pyetur për emrat tuaj në “BLLOK””.

Duke iu përgjigjur drejtpërdrejt Erion Braçes, kryedemokrati i Lushnjes, Myslim Murrizi i kërkon atij dhe deputetëve të tjerë të mazhorancës në listë, të dorëzojnë mandatin.

“Kjo listë origjinale ka shënimin në fillim se kur është depozituar dhe të detajuar datat tuaja të “RREKOMANDIMEVE” për sevap. Dhe një shënim poshtë tek faqja e fundit për 790 mësues të tjerë që kanë kaluar në “FILTRIN” Tuaj. Pasi t’i verifikoni nëse keni moral bëjëni atë që mendër po hani këto dy ditë, pra dorëzoni mandatin që të gjithë”.

SHKARKO APP