Kreu i PD në Vlorë: Të parandalohet katastrofa në Nartë

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Administrimit të Ujërave, Jani Babi deklaroi në një lidhje telefonike për New24 se situata në Nartë është nën kontroll dhe se nuk ka çarje të trasesë së kanalit të kullimit. Duke folur për situatën e krijuar në jug të vendit nga përmbytjet Babi tha se mbrojtja e argjinaturës së Selececit është problemi kryesor. Ai tha gjithashtu se problematika më e theksuar nga përmbytjet është në Akërni dhe Darëzezë.

“Kam komunikuar me drejtorin e Bujqësisë i cili është në vendin e duhur. Janë hapur portat e gjolit por nuk ka asnjë rrezik. Probemi kryesor është argjinatura. Kam kontaktuar dhe me Fredo Berberin, kreun e komunës, i cili më tha se situata është në rregull. Doja të përgënjeshtroja me qëllim që njerëzit mos të flasin në mënyrë të pandërgjegjshme. Argjinaturën po e monitorojmë nuk ka problem, megjithatë të gjithë drejtuesit janë në atë zonë. Probleme në Fier dhe Vlorë nga përmbytjet, por më e theksuar problematika paraqitet në Akërni dhe Darezezë. Në Fier ka dëme të mëdha në bagëti, ndërkohë që janë marrë masat për bazën ushqimore. Ministria e Bujqësisë vazhdon të shpërndajë ndihma bashkë me drejtorinë e emergjencave. Sot nuk ka një sipërfaqe nën ujë sa ishte në fillim”, tha zv.ministri Babi.

Por nga ana tjetër, kreu i Partisë Demokratike Vlorë, Moisi Meminaj tha se situata është shumë problematike, pasi ka rritje të nivelit të ujit, ndërkohë që deti është i egërsuar. Meminaj bëri thirrje të parandalohet sipas tij një katastrofë.

“Situata po vijon të rëndohet. Uji po vërshon drejt Nartës, banorët janë në alarm. Kam parë nga afër shtëpi të përmbytura, pjesa nga gjoli deri tek shinat është përmbytur dhe fushat që ndajnë Vlorën me Nartën janë përmbytur. Bëj thirrje të parandalohet një katastrofë. Është rritur niveli i ujit, ka dallgë. Kjo qeveri nuk ka asgjë në kontroll vetëm fjalë boshe. Situata po vijon të rëndohet”, tha Meminaj.

Sipas raportimeve, paraditen e sotme u njoftua për çarjen e trasesë në afërsi të kanalit të kullimit të Nartës, çka do të sillte përmbytjen e fshatit. Kryekomunari Fredo Berberi tha për News24 se po merren masat dhe janë mbyllur portat që derdhin ujin në lagunë. Njëkohësisht po punohet për riparimin e argjinaturës.

SHKARKO APP