Kreu i Policisë tregon masat për nisjen e vitit të ri shkollor: Kamera inteligjente dhe kontrolle për drogën e sigurinë ushqimore
Kryepolici Skënder Hita ka dalë ka folur lidhur me masat e marra nga Policia e Shtetit në kuadër të nisjes së vitit të ri shkollor, të hënën më 14 shtator.
Në një konferencë për mediat, Hita garantoi forcimin e masave dhe praninë e policisë në shkolla, duke shtuar se këtë vit shkollor do të shtohet dhe projekti Smart City, duke rritur edhe më shumë sipas tij sigurinë në shkolla.
Në vijim deklarata e plotë e Hitës:
Ju falënderoj që jeni këtu në këtë ditë pushimi, por tematika për të cilën dua të informoj qytetarët ka të bëjë me qasjen e re dhe masat e marra nga Policia e Shtetit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, proces shumë i rëndësishëm për të gjithë shoqërinë, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi e shtuar për Policinë e Shtetit. Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe krijimi i një ambienti sa më të sigurt për zhvillimin e procesit mësimor të qetë në çdo cep të Shqipërisë është detyrë parësore e Policisë së Shtetit.
Pas analizës së problematikave të hasura gjatë viteve të kaluara, konsultimit dhe koordinimit me Ministrinë e Arsimit, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, me detyra konkrete për të gjitha strukturat që do të angazhohen për garantimin e sigurisë së nxënësve. Ky plan nuk lidhet vetëm me garantimin e sigurisë fizike të nxënësve, por masat tona përfshijnë edhe sigurinë ushqimore, sigurinë kibernetike dhe sigurinë rrugore.
Gjatë takimeve që kam zhvilluar së fundmi me strukturat vendore të Policisë së Shtetit, u kam lënë detyra të drejtpërdrejta dhe të qarta të gjithëve, për të marrë masa konkrete për garantimin e perimetrit të sigurisë dhe përtej perimetrit të sigurisë, me qëllim mbarëvajtjen e procesit mësimor. Në krye të të gjitha shërbimeve të angazhuara për sigurinë në shkolla do të jenë shefat e komisariateve, të cilët do të kenë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për organizimin, koordinimin dhe kontrollin e shërbimeve në territor. Kam kërkuar që këto masa të mos mbeten vetëm në planifikim, por të kontrollohen dhe të zbatohen në terren. Përgjegjësia është konkrete dhe do të jetë e qartë për çdo drejtues vendor të Policisë.
Në këtë kuadër, kam udhëzuar specialistët e sektorëve kundër Narkotikëve dhe atyre Operacionalë në të 12 drejtoritë vendore të Policisë, që të organizojnë kontrolle me intensitet të lartë, si brenda, ashtu edhe jashtë perimetrit të sigurisë, me fokus identifikimin dhe ndalimin, me forcën e ligjit, të çdo elementi kriminal që tenton t’u afrohet institucioneve arsimore, të bëjë nxënësit pjesë të veprimtarive kriminale, veçanërisht në fushën e narkotikëve, apo t’u shesë atyre sende të tjera të kundërligjshme dhe me pasoja për jetën dhe shëndetin. Vëmendje të veçantë i kemi kushtuar edhe sigurisë rrugore pranë shkollave, për mbrojtjen e fëmijëve gjatë lëvizjes së tyre në fillim dhe në mbarim të orarit mësimor, si dhe gjatë pushimit të gjatë.
Rol të rëndësishëm në masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor ka edhe ndërgjegjësimi. Në këtë drejtim, strukturat e Policimit në Komunitet, të Dhunës në Familje, të Krimeve Kibernetike dhe të Policisë Rrugore do të jenë të pranishme në shkolla, me orë ndërgjegjësuese për rreziqet e bullizmit, dhunës psikologjike në shkolla dhe në hapësirën digjitale, për sigurinë rrugore, si dhe për reduktimin e përdorimit të drogës, duhanit dhe alkoolit. Gjithashtu, në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla, po bashkëpunohet intensivisht me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për të garantuar sigurinë e produkteve ushqimore në të gjitha bizneset që operojnë pranë shkollave.
Do zhvillojmë kontrolle periodike në këto subjekte, për të verifikuar jo vetëm formalitetin e ushtrimit të aktivitetit të tyre ekonomik, por edhe përbërjen dhe skadencën e produkteve që konsumojnë nxënësit, si dhe kushtet higjieno-sanitare ku mbahen dhe tregtohen këto produkte. Në këtë sipërmarrje, rol të rëndësishëm luajnë edhe oficerët e sigurisë në shkolla, mësuesit dhe psikologët. Ata janë ura jonë e drejtpërdrejtë e lidhjes me përditshmërinë në shkollë dhe një pikë e rëndësishme kontakti për evidentimin në kohë të problematikave.
Për këtë arsye, ne po forcojmë bashkëpunimin me oficerët e sigurisë për të koordinuar veprimet për çdo rast dhe me drejtuesit e shkollave për të identifikuar dhe trajtuar çdo shqetësim apo problematikë që në hapat e saj të parë. Gjithashtu, partnerë të rëndësishëm të Policisë së Shtetit janë Bordet e Prindërve dhe Qeveritë e Nxënësve. Zëri i fëmijëve dhe shqetësimet e prindërve do të dëgjohen me respekt dhe përgjegjshmëri dhe do të marrin përgjigje në kohë. Parandalimi është gjithmonë më i mirë se reagimi pas një ngjarjeje. Edhe në këtë drejtim, Shefat e Komisariateve do të jenë në krye të shërbimeve dhe përgjegjës në territorin që ata mbulojnë.
Të nderuar qytetarë!
Këtë vit, sigurisë në shkolla i shtohet edhe një tjetër dimension i rëndësishëm: teknologjia. Në kuadër të projektit Smart City, në 20 shkolla janë vendosur kamera inteligjente, të cilat rrisin kapacitetet tona për monitorimin dhe parandalimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë. Teknologjia na mundëson të jemi më të shpejtë në evidentimin e problematikave, më efikasë në reagim dhe më pranë qytetarëve, aty ku prania dhe ndërhyrja jonë kërkohet. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një modeli modern të sigurisë publike, ku puna e punonjësit të Policisë në terren mbështetet gjithnjë e më shumë nga teknologjia dhe sistemet inteligjente.
Dhe dua ta them qartë: teknologjia nuk zëvendëson punonjësin e Policisë. Ajo e bën më të shpejtë, më efikas dhe më të saktë punën e tij në terren.
Të dashur nxënës,
Mos heshtni përballë një rreziku. Nëse shihni apo përballeni me një rast dhune, shpërndarjeje të narkotikëve, kërcënimesh, bullizmi, përfshirjes së bashkëmoshatarëve në veprimtari kriminale apo çdo situatë tjetër që ju shqetëson, njoftoni mësuesin, prindin, oficerin e sigurisë dhe Policinë e Shtetit.
Mos nguroni të flisni me prindërit, me psikologët, punonjësit socialë, mësuesit dhe me punonjësit e Policisë. Ndërhyrja në kohë për të trajtuar çdo problematikë apo shqetësim mund të parandalojë një ngjarje më të rëndë.
Policia e Shtetit dhe gjithë hallkat e zinxhirit të sigurisë do të jenë pranë jush dhe do të reagojnë me vendosmëri dhe profesionalizëm, që ju të ndiheni të qetë e të sigurt në rrugën e dijes.
Ky është angazhimi ynë, shkolla të sigurta, për të ardhmen e vendit tonë!
Faleminderit dhe jam i hapur për pyetje.
KOHA JONË SONDAZH

