Kreu i SPAK, Braho: Prokuroria e Posaçme po përballet me çështje komplekse të krimit të organizuar
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, ka folur ditën e sotme për SPAK, ku u shpreh se kjo strukturë është përballur me ngarkesë pune më të madhe.
“SPAK është përballur me një ngarkesë pune gjithnjë e më të madhe, me çështje më komplekse, me pritshmëri më të larta publike dhe me forma kriminaliteti që ndryshojnë me shpejtësi. Korrupsioni i nivelit të lartë, krimi i organizuar, pastrimi i parave, kriptovalutat dhe komunikimet e enkriptuara kërkojnë përgjigje institucionale më të specializuara, më teknike dhe më të qëndrueshme.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të kufizohet vetëm te ndjekja e autorëve individualë, por duhet të synojë strukturat, mekanizmat e përfitimit, rrjetet mbështetëse dhe pasuritë e krijuara nga veprimtaritë kriminale. Për këtë arsye, hetimi financiar dhe pasuror do të jetë pjesë thelbësore e punës sonë.
SPAK do të forcojë qasjen proaktive në hetim. Krimi i organizuar nuk pret të referohet; ai duhet të identifikohet, analizohet dhe goditet përmes inteligjencës kriminale, analizës financiare, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përdorimit të mjeteve moderne. Kjo kërkon prokurorë të specializuar, hetues të përgatitur, analistë financiarë dhe ekspertë.
Është e rëndësishme që sfidat e reja të shoqërohen me mbështetje të re buxhetore. Kjo mbështetje nuk duhet të shihet si privilegj institucional, por si investim në aftësitë e institucioneve të drejtësisë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave në mënyrë sa më efektive”, u shpreh Braho.
KOHA JONË SONDAZH

