
Vrasjet dhe atentatet mafioze pas 25 prillit janë shtuar. Ekzekutimet nuk munguan nga veriu në jug, ku grupet kriminale eliminuan kundërshtarët mes tyre. Deri në tani janë shënuar 6 të vrarë, ndërkohë vrasjet mafioze janë 4.
Më 10 maj, Bledar Birçaj u ekzekutua në Vlorë, teksa po lëvizte me mjetin e tij. Ai mbeti i vdekur në vend si pasojë e plumbave të marra. Pista kryesore e hetimeve është përplasja trafikun e drogës në Spanjë. Krimi i radhës u shënua në Elbasan, ku u eliminua Everest Çaka. Ai ishte në automjet me bashkëshorten e tij, kur u qellua disa here me pistoletë me silenciator. Çaka sapo ishte kthyer nga Gjermania dhe vrasja besohet se lidhet me çështjet e narkotikëve.
Shkodra ishte qyteti për viktimën e radhës. 32-vjeçari Endri Mustafa u gjet i vrarë në zonën e Livadheve. Ai ishte vratë me gjashtë plumba. Policia shpalli në kërkim si autor Ibrahim Licin, ndërsa në pranga ra edhe një 15-vjeçar.
11 ditë pas vrasjes së Bledar Birçajt, krimi goditi sërish në Vlorë. 38-vjeçari Delon Troqe u qëllua me breshëri kallashnikovi në sy të familjarëve. Ashtu si Birçaj edhe Troqe ishte kthyer para pak kohësh nga Spanja. Bilanci i muajin maj u rëndua edhe me vrasjen e Mehmet Qemës, i cili u qëllua aksidentalisht nga shoku i tij Marjus Dema, si dhe Liljana Buzo e cili u qëllua për vdekje me armë zjarri nga burri i saj në derën e gjykatës së Elbasanit.
Këto vrasje tregojnë se rendi është në kushte zero dhe pasiguria është rritur frikshëm. Ndonëse përfshirja e shqiptarëve në trafikun e drogës jashtë vendit nuk është një fenomen i padëgjuar, numri i ngjarjeve kriminale në 2021 është tepër shqetësues për autoritetet. Referuar shifrave për periudhën janar-maj të këtij viti në vend janë shënuar 24 ngjarje kriminale me 24 viktima ose 4 viktima më shumë krahasuar po me të njëjtën periudhë të 2020.
