Krishtlindja, mesazhe paqeje nga krerët e besimit të krishterë

 Dje besimtaret e krishtere festuan ditën e lindjes së Krishtit, Krishtlindjen. Në prag të festës se Krishtlindjeve kreret më të lartë të besimit të krishterë në vend kanë uruar besimtarët.

Imzot Rrok Mirdita: Kush fal armikun, ndez yllin udhërrëfyes

Imzot Rrok Mirdita, kreu i Kishës Katolike në Shqipëri ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjeve, duke dhënë mesazhin e faljes, bujarisë dhe drejtësisë. “Kush fal armikun, ndez yllin udhërrëfyes, kush ndihmon skamnorin ndez dritën e Hyjit. Kush ndreq padrejtësinë bën të vezullojë, shenja e Mesisë. Sonte të Krishterët përkujtojnë lindjen e Jezu Krishtit, birit të Hyjit në Betlehemin e Judesë. Çdo gjest dashurie e miqësie që shfaqet në jetën tonë është vezullimi i dritës që çon drejt Betlehemit. Kush fal armikun, ndez yllin udhërrëfyes, kush ndihmon skamnorin ndez dritën e Hyjit. Kush ndreq padrejtësinë bën të vezullojë, shenja e Mesisë. Festa e Krishtlindjes është festa e gëzimit. Për secilin nga ju, Hyji e ka ndezur një yll, për tju mbushur me gëzim e për tju udhëhequr në takimin me Krishtin. Ai yll ndriçoftë sonte e përgjithmonë jetën tuaj në familjet tuaja. Për shumë vjet Krishtlindjet, të gëzuar e të lumtur vitin e Ri 2015!”, ka uruar kreu i Kishës Katolike të Shqipërisë.

Imzot Angelo Massafra: Krishtlindja na nxit ta drejtojmë shikimin tek njerëzit që janë viktima të padrejtësisë dhe diskriminimi

Nga Shkodra, Imzot Angelo Massafra President i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare bëri dhe urimin tradicional. “Krishtlindja na nxit ta drejtojmë shikimin tonë më shumë kah ata që, në botën e sotme, janë viktima padrejtësie dhe diskriminimi”, e nisi kështu urimin tradicional për Krishtlindje Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, njëherësh edhe Arqipeshkëv i Shkodrës Imzot Angjelo Massafra.Imzot Angjelo Massafra i ftoj drejtuesit e shtetit qe të respektohen të varfërit dhe të drejtat e punëtorit.

Janullatos: Të kremtojmë Krishtlindjen duke marrë frymëzim, besim dhe shpresë për kapërcimin e problemeve tona

Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët me rastin e festës së Krishtlindjeve. Kryepeshkopi Janullatos tha se tek kremtimi i Krishtlindjes, të gjithë mund të gjejnë frymëzim, besim e shpresë për kapërcimin e problemeve të tyre. “Rrëfimet e Ungjillorëve për Lindjen e Krishtit na theksojnë vështirësitë e mëdha që kaloi shpëtimtari i botës. Por njëkohësisht përcaktojnë shembullin për ata që na shohin me devocion. Jezui u përul duke theksuar vlerën e të përulurit. Lindi në vend të varfër duke treguar dinjitetin e të varfërve. U persekutua duke theksuar dinjitetin e atyre që ndiqen me të padrejtë. U mundua si fëmijë që të mos harrojmë të drejtën dhe nevojën e familjeve të devota. Por mesazhi më të thellë të festës na e zbulon ungjillori Joan, ai tha: Në fillim ishte Fjala dhe Perëndi ishte Fjala dhe Fjala u bë mish dhe qëndroi ndër ne. Mishërimi i fjalës mbështet sigurinë se atje ku do Perëndia, mposhtet rregulli i natyrës. Dhe kjo na fal mundësinë për të kapërcyer të pamundurat nga ana njerëzore. Le të kremtojmë Krishtlindjen duke marrë frymëzim, besim dhe shpresë për kapërcimin e problemeve tona personale e sociale. Krishtlindje të bekuara!”, uroi Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

 

SHKARKO APP