Kronika satirike e natës së fundit në Parlament/ Gjekmarkaj: Nga sherri i Mondit me Braçen te gjumi i ministrave

Nga: Agron Gjekmarkaj

Kronikë e natës së fundit!

Ah e gjatë që ajo natë zorzope! Po kaq të tilla mërzitë dhe shpresat. Disa ngjarje shënjuan ritmin e jetës time asaj buzëmbrëmjeje tërkuzë si balci i dreqit të mallkuem. Ikja e Jorinës përtej deteve qe e para, një përzierje e dhimbjes me habinë, një shije që ta lë vetëm humbja e portofolit në autobus. E dinim qe vajza do ngjitej lart.

Ankimi krenar i Ismet Beqirit po kaq i beftë e shokues në intensitetin e tij dolli. Kronika bën me hile tha, nuk është e drejtë me mua. Në të del i cunguar devocioni dhe dashuria që nga dejet e tokës mallakastriote për Babon herë si kënge e here si brengë, herë si meze herë si raki shfaqet duke marrë rrugët e zemrës e na qull sytë! Gjëmoi duke lënë kumtin e zemërimit të tij dhe haravan drejt të panjohurës ngau.

As vullneti i Vezirit të madh Tao për të negociuar, për tu marrë vesh se ndali dot. Më pas fati disi më ndihu. Në tryezën ku me Bujar Leskajn po pinim ai për qejfin e tij lab e unë në atë gegë nga një uiski zier nga dorë e mirë vetë Kryezëvendës Lideri Muli u ul. Në fillim ra si heshtje. Helbete një nder i tillë nuk ndodh shpesh. Personalisht kisha dhe emocione se disa muaj që ajo vëmendje atërore me mungonte. Ishte hequr e dobësuar ca ndër beteja me regjimin. Ndonëse pak distant dhe hijerënde mbetej i dashur me ne.

E pyeta për shikimet e ëmbla që i dhuroi Gaz Bardhit gjatë debatit parlamentar. Heshti pak, u mbush me frymë sikur thithi gjithë të shkuarën dhe prej saj qiti urtësinë. Eh more zotëri të gjithë ata që i bëjnë luftë tiranisë marrin mbështetjen time pa kushte. Koha shqiptare foli me fuqinë e thagmës së vet. Te gjerë e ka zemrën sa mendimin. Që dje paradite Edona Bilali më kishte mallëngjyer me ftesën për kafe. Në të errur e pimë! E pyeta për Borën si është me shëndet në këtë vape? Mirë tha e pathyeshme si besimi që ka te Babo. Mua si pinjoll Shkreli i lindur në Lezhe ajo si shkodrane e transferuar në Tiranë u bashkuam tek dashuria për korifenjtë e vdekur të qytetit të vjetër. Orët ecnin me ritëm gjinkallash. Mondi deshi beri hatanë. Me revole ne dore u nis drejt Braçes. U shtrime barkas. Plumbat shpuan tavanin dhe Erjon virani ja hodhi paq. Jeta i buzëqeshi përsëri.

Leskaj i kërkoi xhymertit Ulsi që pas pushimeve të beharit, nën frymëzimin e valëve të Jonit dhe freskinë e pishave te alpeve (se Ulsi bën pushime të kombinuara në det dhe në mal) në shtator të hedhë në tavolinë propozimin për amnistinë e fakirëve të dënuar për thithje miligrameshë të barit të bekuar.

Aferim, aferim tundte kokën i menduar Ulsi. Prishur mos qoftë la të kuptohej. Fatmiri, Majko dhe Braçe nuk votuan për kanabisin por do ta dredhin një kur Babo ti bëje sikter. I uruari i nxori një herë nga dera po i hynë nga dritarja. Tani hekurat do i saldojë Toni dhe Florenc Spaho.

Damo ndonëse i kishte lyer bukur flokët parukieri kishte harruar ti ngjyej kupën e kokës pjesën ku nuk duket si atentat i mirëmenduar ndaj dukjes së tij sqimatare. Akademikët janë burra katerqindësh, mezja dhe yndyra bubulloi zëri i Petros, si uturime e tokës. Madje ata një natë do shkojnë tek Babo! Ai do i qerasë me kumël dhe gështenja të pjekura teksa ata i japin vizione për mëmëdhenë e së nesërmes. Ata fol e Babo shkruaj. Zjarri ndezur e shkëndijë mendimet.

Edhe gratë, edhe gratë ja ngjeshi piskama e tezes, e cila Çuçit lëngojnë i dha një qafosje alla gjirokastrite. U zu ngushtë djali. Një allah allah u dëgjua si psherëtimë. Deputetët e opozitës qerratenj, shkuar qerratenjsh të paepur në beteja nuk arritën ti deshifrojnë dot buzëqeshjet e pareshtura të ministres Deline. Gajretët e saj mbeten pa adrese. Shiharete bënim nga Elisa për ndonjë shpjegim. Ajo hiç meit. Nuk dihej nëse kuptonte a nuk donte te fliste. Etilda në orët e vona vishej me një qetësi monalize e gatshme për ta ruajtur misterin deri në ag. Margariti i mori me vete të gjitha duke lënë njëfarë errësire ndanë Nikoqirit Niko! Ikonomi qëndroi me stoicizëm edhe kur fjeti s’u vu re.

Korreshi bënte hoka dhe synonte ti nxirrte gështenjat nga zjarri me duart e Lefterit. Ai i qëndronte besnikërisht ne krah dhe ngjanin me një duet levendërish popullore. Dash Sula dukej ku e ku më lirik i stërholluar. Albana një me vegjëlinë dhe Erisa një me Banën afruan te mikrofoni i foltores celularët dhe ua dhanë fjalën studentëve. Vox populi vox dei.

Po këto si e kanë hallin, pyeti Bora me një shkëndijë kurioziteti Gertën? Me fytin foli mbyturazi Gerta kanë probleme nga konsumi i ujit të ftohtë, syri i madh i se cilës nuk u zbeh e zvogëlua nga pagjumësia. Sa di ti Gerta sa di i tha ajo.

Gaz Bardhi u kthye pasi mërziti Lul Bravën në dyqanin e Erlës. E ka hutuar dashuria e Doktorit dhe s’di sa duhet të mërzitet apo gëzohet. Bela u kthye pasi kishte shijuar ahengun e Riki Martinit dhe votoi nën ritmin e melodisë. Dilo Nasufi, Bujari i Lushnjës dhe Baftjar Zeqo morën një sy gjumë me pak gërhima. Sytë i kishin kapuç. Bozdo si vajzë e re si bënte syri tërrt nga gjumi. Çyrbja dremiste me celular në dorë dhe ëndërronte që Babo ta ftonte për kafe. Gjeneral Kollçaku i ra çangës së ushtrisë dhe në tre të natës rendën të gjithë. Mimi di Puccini me një velenxe mbi supe i thoshte Etjenit he dhe pak duro se po vjen mëngjesi i pushimeve të gjata.

Krifcën se zu mëngjesi aty po si ministre ende po. Lideri i vogël historik me të vetët nuk erdhi do thoshte Bledion Nallbati se po bëjnë një PD të vogël, të mbledhur doracake por fitimprurëse. Edhe Salianji që ujin s’ta jep e ufuthen ta fal nuk do e thoshte këtë. Më i dhembshur do qe. Seanca u mbyll në pesë të mëngjesit. Lindita ishte ënde gjallë paçka se Ermo shpresonte që kjo të mos ndodhte:)! Teksa shkruaj lexoj me titra që Doktori me në fund e kuptoi që jemi parimor ku jetën e japim po atë istikam parim kurrë.

SHKARKO APP