Kryebashkiaku Arbana: Zhvillimi rural dhe infrastruktura rrugore, prioritete të bashkisë Shijak

Bashkia Shijak po orienton prioritetet e saj drejt përmirësimit të infrastrukturës rrugore, zhvillimit të zonave rurale, rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve dhe krijimit të më shumë mundësive për të rinjtë. Në një intervistë, kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana, u shpreh se infrastruktura rrugore, veçanërisht në zonat rurale, vijon të jetë një nga drejtimet kryesore të punës së bashkisë. Një prej ndërhyrjeve që ka nisur është rruga e Metallës së Re në Njësinë Administrative Maminas, investim i kërkuar prej kohësh nga banorët e zonës dhe që po realizohet me mbështetjen e Qeverisë.

Arbana bëri të ditur se ndërhyrjet do të vijojnë edhe në zona të tjera të bashkisë. “Por puna nuk ndalet këtu. Në vijim parashikohen ndërhyrje në Bilalas, në lagjet e Aruçve dhe Shonve, në rrugën “Liman Bajrami” në Karpën, në qendrën e Maminasit, si edhe asfaltimi i rrugëve në Rreth, Vllazërim dhe Sallmone. Në listën e ndërhyrjeve janë edhe rrugët “Mustafa Bulku”, “Dalip Domi”, rruga Likesh–Shahinaj dhe asfaltimi i fshatit Rreth. Ne synojmë që zëri i banorëve të mos mbetet vetëm një kërkesë, por të kthehet në investim konkret”, shtoi ai. Sipas kryebashkiakut, zhvillimi i Shijakut gjatë viteve të fundit tregon rëndësinë e bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe atij qendror.

Pastrimi dhe planifikimi i territorit

Swiss Digital Desktop Reklama

Një tjetër sfidë e rëndësishme për territorin mbetet pastrimi. Arbana theksoi se kjo çështje nuk mund të trajtohet vetëm si përgjegjësi e bashkisë, por kërkon angazhimin e të gjithë komunitetit. Në fokus është edhe planifikimi i territorit. Në kuadër të hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, është zhvilluar dëgjesa e parë publike për Vlerësimin Strategjik Mjedisor. Synimi është krijimi i një vizioni të qëndrueshëm për zhvillimin dhe organizimin e territorit, duke marrë në konsideratë nevojat e komunitetit dhe perspektivën e Shijakut. “Çdo kërkesë që vjen nga një familje, një i ri, një sipërmarrës apo një komunitet duhet të vlerësohet dhe të kuptohet. Jo çdo kërkesë mund të zgjidhet menjëherë, por çdo kërkesë duhet të dëgjohet me seriozitet dhe empati. Aty ku kemi mundësi dhe burime, synojmë ta kthejmë në ndërhyrje konkrete”, tha Arbana.

Swiss Digital Mobile Reklama

Mundësi të reja për të rinjtë

Punësimi dhe përfshirja e të rinjve në administratën publike janë gjithashtu pjesë e vëmendjes së Bashkisë Shijak. Arbana veçoi Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, i cili u ofron të rinjve 21–29 vjeç, që kanë përfunduar studimet Bachelor ose Master, mundësinë për të fituar eksperiencë profesionale pranë institucioneve publike. “Përmes këtij programi ofrohet një praktikë tremujore pranë institucionit, program trajnimi nga ASPA, mundësi punësimi me kontratë njëvjeçare sipas legjislacionit në fuqi dhe kompensim financiar në formën e trajtimit ushqimor”.

Vizioni për Shijakun

Duke folur për të ardhmen, kryebashkiaku Arbana tha se synimi është një qytet më modern, më i zhvilluar dhe më pranë qytetarëve. “Një Shijak ku investimet në infrastrukturë shoqërohen me shërbime cilësore, ku të rinjtë kanë më shumë mundësi, ku diaspora ndihet pjesë e zhvillimit dhe ku qytetarët kanë hapësirë për të shprehur zërin e tyre. Kemi ende shumë punë për të bërë dhe nuk duhet të mjaftohemi me atë që është arritur. Gjithmonë duhet të kërkojmë hapin tjetër”, shtoi ai.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?