Kryebashkiaku i PS garon pёr komunistёt

 

Kryebashkiaku nё detyrё i Gramshit Dritan Bici ka sfiduar Partinё Socialiste duke vendosur tё garojё pёr Partinё Komuniste tё Marko Dajtit. Lajmin e ka bёrё të ditur vetë Bici pёrmes njё komenti tё publikuar nё faqen e tij nё rrjetin social Facebook, ku nuk rezervohet as tё kritikojё Partinё Socialiste pёr mosrikandidimin e tij.
 
Por pse Partia Socialiste nuk pranoi ta rikandidojё Dritan Bicin pёr njё mandate tё dytё?
 
Vetёm pak javё mё parё, Inspektorati i Lartё i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, përfundoi kontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Dritan Abedin Bici, me funksion Kryetar i Bashkisë Gramsh.
 
Në përfundim të verifikimeve të kryera, mbi deklaratat e interesave private dhe të dhënave të siguruara gjatë proçesit të kontrollit të plotë, u konstatuan problemet si më poshtë vijon:
 
–     Fshehje e pasurisë, apartament banimi, Gramsh.
 
–     Fshehje e pasurisë, apartament banimi, në Tiranë.
 
–   Fshehje e pasurisë, “Dyqan i artikujve të ndryshëm’’, në deklarimin ’Para fillimit në detyrë 2011’’.
 
–    Mosjustifikim me burime të ligjshme financiare dhe dokumentacion ligjor i pasurisë së deklaruar në deklaratën ‘’Para fillimit në detyrë 2011’’ në shumën 12.483.000 lekë.
 
–   Fshehje e transaksioneve bankare të konfirmuara nga Raiffeisen Bank, në shumën 3.130.276 lekë në deklarimin ‘’Periodik Vjetor 2011 dhe 2013’’.
 
–   Fshehje e llogarisë bankare në Raiffeisen Prestige në deklarimin ‘’Periodik Vjetor 2013’’ në shumën totale 1.347.276 lekë dhe mosmbulimi i saj me të ardhurat e realizuara dhe deklaruara në këtë periudhë.
 
–  Deklarim i rremë i burimit të shumës 950.000 lekë për transaksionet ‘’depozitime cash’’ në Raiffeisen Bank në deklarimin ‘’Periodik Vjetor 2011’’.
 
–   Fshehje e llogarisë bankare në Raiffeisen Bank, në emër të bashkëshortes së subjektit, me gjendje 243.687 lekë në 31.12.2011 dhe 495.840 lekë në 31.12.2012.
 
–  Përveç problematikës të konstatuar me sipër, z.Dritan Bici ka tentuar dhënien e një sasie parash cash, në ambientet e ILDKPKI, Inspektorëve të ngarkuar me kontrollin e deklaratave të tij, me qëllim mbylljen e problemeve të konstatuara nga hetimi administrativ.
 
Për arsyet e sipërpërmendura, ILDKPKI depozitoi kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme, duke kërkuar fillimin e proçedimit penal ndaj subjektit Dritan Bici, me funksion Kryetar i Bashkisë Gramsh, për veprat penale të, fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë, korrupsionit,  pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar nga nenet 257/a/2, neni 244, neni 287,  të Kodit Penal.

SHKARKO APP