Kryebashkiaku Llatja: Të gjitha kanalet vaditëse në funksion, drejt përfundimit edhe kanali i Labinot-Fushë
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka ndjekur nga afër punimet për hapjen e kanalit të fundit vaditës në zonën e Labinot-Fushë, i cili do të sigurojë ujë për rreth 300 familje fermere dhe mbi 100 hektarë tokë bujqësore.
Gjatë inspektimit, Llatja falënderoi punonjësit e Ndërmarrjes së Punëve Publike, të cilët po punojnë me intensitet, edhe gjatë fundjavës, për të përfunduar në kohë këtë ndërhyrje të rëndësishme për bujqësinë e zonës.
Për shkak të devijimit të kanalit si pasojë e punimeve të Korridorit VIII dhe problematikave të krijuara nga lumi Shkumbin, Bashkia Elbasan ka siguruar përkohësisht 50 litra ujë në sekondë përmes një sistemi pompimi, deri në përfundimin e veprës së marrjes.
Kanali me gjatësi rreth 1.2 kilometra po përgatitet për të përcjellë ujin nga lumi Shkumbin në të gjithë zonën e Labinot-Fushës. Sipas kryebashkiakut Llatja, që prej datës 15 qershor të gjitha kanalet vaditëse në territor janë aktive, ndërsa ky është segmenti i fundit që po vihet në funksion për këtë sezon vaditës.

KOHA JONË SONDAZH

