Konflikti/Kryemadhi-Meta, simbiozë apo siamezë?!

Që të sqarojmë lexuesin që në fillim; siamezë ka kuptimin që mund të lindin dy njerëz me të njëjtin trup, që kanë dy koka dhe katër duar apo edhe dy duar. Ka variante të ndryshme të kësaj ndodhie fiziologjike, e rrallë, por që është realitet.

Ndërsa simbioza ka kuptimin që sejcili njeri apo kafshë apo insekt apo kafshë-insekt janë qënie të ndryshme por që janë bashkë dhe ngjitur për t’i ballë jetës apo gjallesës.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë dy politikanë që kanë bërë histori në këtë vend; me të mirat apo të këqijat e punëve të tyre.

Peshoren e pozitivitetit e përcakton historia e pas shumë viteve sepse në kohë reale nuk e gjen dot peshoren se nga anon.

Por retorika dhe sulmet e këtyre ditëve mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, si politikanë, por që në thelb janë bashkëshortë të tre fëmijëve të mirë e të edukuar, ka sjellë pështjellim, dyshime por edhe një opinion jo pozitiv në anën e Ilir Metës.

Meta ka qenë kryeministër, kryeparlamentar dhe President Republike, poste të larta që nuk i ka patur asnjeri në Shqipëri. As Enver Hoxha nuk i kishte formalisht.

Ndaj Ilir Meta me sulmet e fundit ndaj Monika Kryemadhit, por jo vetëm, ka humbur pikë në publik.

Natyrisht që Ilir Meta kaloi një sprovë të vështirë kur ishte president sepse u ndesh i vetëm me të gjithë; as Sali Berishën nuk e kishte me vete në kohën që drejtonte PD-në Lulzim Basha.

Lëre se çfarë thotë tani Ilir Meta për Sali Berishën si i “madherishëm”!

Beteja e tij presidenciale ishte epokale, ndonëse analistët e ftohtë e gjykojnë si një luftë për pushtet, porse në realitet ai mbajti, aq sa mundi ekuilibrat e shtetit, në kohën kur kryeministri Rama kishte çdo pushtet.

Por Ilir Meta ka problem, realisht!

Burime që nuk duan të indentifikohen (për arësyet e tyre) tregojnë se Ilir Meta ka problem serioze me shendetin. Në muajin nentor për pak, thonë burime, sa nuk iki për në Botën tjetër. Por nentori ka ikur dhe tani Ilir Meta është mirë, të paktën nga shendeti!

Ndërkohë paranoja e tij për çdo njeri që i rri afër, edhe nga Monika, tregon se Ilir Meta nuk është në ditët e tij të mira.

E thamë në fillim se Ilir Meta ishte student kur hyri në politikë, ishte shumë i ri, kur presidenti i kohës Sali Berisha e donte në burg, ishte i ri dhe pa eksperiencë kur u bë kryeministër i Shqipërisë.

Bëri luftë me Fatos Nanon dhe herë fitoi e herë humbi. Iu regj lëkura. Por në këto beteja ishte familja që e mbajti ngrohtë dhe afër. Ndryshe nuk do të mbijetonte dot.

Pra ishte Monika Kryemadhi që e supërtonte dhe i fuste frenat e dorës “makinës së çmendur” të Ilir Metës.

Pushteti është i këndshëm, por nganjëherë të ha edhe kokën! Ilir Meta nuk ndaloi. U bë me Berishën. Mbijetesë politike. Ia arriti, ndonëse nuk besonte as të Saliu!

Lojërat e politikës e çuan te Edi Rama, që për hir të se vertetës e bëri kryebashkiak në vitin 2000, porse Edi Rama kishte tjetër tharm politik; ndryshoi mënyren e të bërit politikë, ishte edhe më orator se Saliu dhe Iliri.

Edhe te Rama ishte Ilir Meta që e hodhi “govatën” dhe iku se filloi paranoja që “Rama do më fusi në burg”.

Pra filloi të mos besojë me të asnjeri që bashkëpunonte. Nga pabesitë e politikës ai e ktheu gjithçka në paranojë edhe te ata që e donin. I shikonte me dyshim se mos janë te Ramës apo Saliut!

Edhe kur ishte President e kishte frikën se mos ja marrin LSI-në, e cila është krijesë e tij, porse një forcë politike është bashkim vullnetar i njërëzve që kanë disa objektiva politike.

Në momentin që ti dyshon të kushdo, nuk ka më interesa vullnetare politike; ka luftë, brryla dhe paranoja.

Edhe kjo që po ndodh mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit është një gjë që nuk krijon përshtypje të mirë. Monika, përveçse si bashkëshorte, e ka suportuar Metën në krejt jetën e tij politike. Ajo mbajti LSI në kohën e vështirë kur kishte Edi Ramën kundër, Bashën në pabesi dhe të shoqin që e shikonte me dyshim!

Hetimi që ka filluar SPAK është hetim normal, përderisa ke qenë në politikëne lartë do të pranosh edhe te hetohesh, edhe kur ta bëjnë me kastile.

Ilir Meta nuk kishte pse bërtiste kundër Altin Dumanit, që flitet se është njeri i pakorruptuar në krejt historinë e tij në drejtësi. Ai, pra Meta, mund të thoshte se ky është sulm apo hetim politik, por unë do ti nënshtrohem çdo hetimi si çdo qytetar i thjeshtë.

Dhe kështu mund të kishte mbështetjen e publikut, publik i cili sheh ftohtë dhe gjykon me kthjelltësi.

Ndërsa të nënkuptosh, aq me tepër publikisht, se “bashkëpunëtorët e SPAK i kam edhe në parti dhe në shtëpi”, kjo e rëndon situatën për të.

Disa thonë se kjo është një lojë fine e Ilirit me Monikën që të shpëtojmë çfarë të shpëtojmë nga SPAK ndaj të bëjmë sikur jemi në konflikt.

Por nuk e besoj, aq me tepër se Ilir Meta ka shkuar tepër larg; ka akuzuar Monikën si bashkëpunëtore te SPAK! Ose më saktë se ajo synon futjen e Metës në burg.

Kjo është e rëndë, bile shumë e rëndë.

Tani pyetja lind: Kryemadhi dhe Meta, janë si në simbiozë apo mbeten akoma siamezë?! Apo të ndarë përfundimisht?/S.P./

SHKARKO APP