Kryeministri Rama në Kuvend: Përmbytja e Shkodrës nuk ka lidhje me kaskadën e Drinit
Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur ditën e sotme nga foltorja e Kuvendit akuzave të opozitës lidhur me përmbytjet në Shkodër dhe në Lezhë.
Rama ka thënë se përmbytja nuk ka ardhur si pasojë e hapjes së digave në kaskadën e Drinit.
Kreu i PD-së Sali Berisha akuzon se mijëra hektarë tokë në Shkodër u përmbytën pasi KESH nuk njoftoi autoritetet për hapjen e digave.
“Janë faktet që flasin shumë qartë. Kur unë flisja, për Shkodrën, ka qenë një situatë katastrofike, për shkak të menaxhimit skandaloz të kaskadës. Flasin shifrat e Bashkisë së Shkodrës, që nuk influencohet nga qeveria jonë. Janë përmbytur 25 mijë hektarë vetëm në Shkodër. 14 mijë ishin edhe në qytetin e Shkodrës. Ndërsa këtë herë ka qenë 1400 hektarë. Nuk ka asnjë lidhje me kaskadën. 4 mijë hektarë është edhe për Lezhën. Për Durrësit kemi pasqyrën e punës këmbëngulëse të bashkisë së Durrësit. Nuk janë më pika kritike. Nëse unë marr kamerën e iPhone-t tim dhe ta vendos në një vrimë të vogël me ujë këtu në të djathtë të korridorit, mund të simuloj një përmbytje globale, por realiteti është tjetër dhe këtë herë nuk flas unë, por Bashkia e Shkodrës”, tha Rama.
Ndërkohë, Sali Berisha në një prononcim për gazetarët jashtë Kuvendit tha: Në interpelancë po flet autori i vërtetë i dramës që po përjetojnë Shkodra dhe Nënshkodra, po flet njeriu që në pabesi, në mesnatë, pa informuar asnjë njeri, pa informuar sipas ligjit, autoritetet vendore, hapi të gjitha tunelet dhe portat e Komanit dhe Vaut të Dejës, dhe krijoi një dallgë përmbytëse të tillë që nuk e kishte parë Shkodra, dallgë e cila nxori nga themelet urën e vjetër të Bahçallëkut, monument kulture, dallgë që përmbyti në një kohë të shkurtër 500-600 banesa. Ky akt i mosnjoftimit është vepër penale. Qëllimi ishte që përmbytja të mos i faturohej hapjes së digave dhe kaskadës, që me ligj bëhet përgjegjëse për dëmshpërblimin e banorëve. E dyta, të fshihte faktin se për ditë të tëra nuk prodhoi energji elektrike, duke lejuar edhe rritjen e lartësisë së ujit në Koman, që është një liqen me kapacitet realisht të kufizuar dhe mbushet dhe stërmbushet nga lumenjtë e rrëmbyer brenda një kohe të shkurtër.
Me pas Edi Rama shkroi në facebook: Sot në Kuvend – Replikë. *Sipërfaqja e përmbytur është fare minimale në krahasim me atë kohë kur vetëm në Shkodër kishim 25 mijë hektarë të përmbytur, ndërsa sot janë vetëm 1400 hektarë; nga 68 mijë e 316 banorë të përmbytyr në Shkodër, sot vetëm 130 qytetarë të evakuar. Me këto shifra nuk flas unë por vetë Bashkia Shkodër. Situatë e përmirësuar ndjeshëm paraqitet edhe në Lezhë dhe në Durrës, ku nuk ka më përmbytje dhe banorë të evakuar” shkruan kryeministri.