Kryeministri është shumë larg Aristofanit të lashtësisë …

Nga Kristo Mërtiri/-Në këtë botë të korkolepsur, për të qëndruar vazhdimisht me këmbët në tokë, ndonjëherë njeriu paska nevojë të provojë sadopak edhe shijen e hidhur të zhgënjimit. Shije që jo rrallë mund të ngelet edhe si komb në grykë. Dhe nuk është aspak paradoks apo fantazi e marrëzi emocionale e çastit. Ky realitet që pohojmë çiltërsisht, nuk mund të rrëzohet nga një e rënë e kalemit. Apo jo, o miku ynë në metropol! Sepse ditët e fundit, kujtuam edhe një shkrimin tënd me humor therës e të botuar vite më parë. Madje atëbotë, jo të gjithë e përtypën mirë mesazhin tënd pa drita uloke e pa ekuivokë, lidhur me hedhjen e Edit si me parashutë brenda natës në prehrin e kolltukut të Kryetarit të PS-së. Megjithëse para dite u rrëzua Platforma e tij në forume (?!). Ndërsa ca kokoroçë militantë të verbër e pa identitet (anonimë), u hodhën përpjetë duke kërcyer tel më tel si pehlivanë e “sharës me pagesë” nëpër faqe e xhungla interneti. Asnjëri nuk mori guximin të dilte me emër e mbiemër në sheshmejdanin e medies online. Mercenarë e lëpirës të përjetshëm ndaj Njëshit të radhës në Parti e në Qeveri. Për të qeshur e për të vënë duart në kokë : Disa të zhgënjyer tani vonë, të kanë kërkuar edhe ndjesë, por ti me të drejtë nuk ua pranove për shumë arsye e shkaqe që i the publikisht te gazeta “Koha Jonë”… Mirëpo, ka momente në jetë, të cilat mund të tundin e shkundin pluhurin mbytës të disa viteve iluzivë për iksin a ipsilonin me spaleta e grada të larta, që nuk luajnë asnjë fije nga qoshja pjellore 25- vjeçare e oxhakut partiak, legjislativ e ekzekutiv. Ky çerek shekulli Tranzicioni i krreu lakuriq para opinioneve të majta e të djathta, të varura e ta pavarura. Megjithëse fudullëku e bollëku u ka zënë sytë e veshët. Fjala vjen, ti e the copë e shkoqur, rolin vendimtar të “Dollibashit” nga nahija jonë në Jug. Me sa duket, ato mendime të hapura e guximtare, i rrëmbeu e i hodhi në det ai lumi euforik e mospërfillës i kolltukofagërisë së gdhendur nga pena noliane. Sa për këtë refleksion të tanishëm, pse ta fshehim, e rindezëm fshatçe pas katër a pesë shpërthimeve të “befasishme” nga një grusht analistësh të njohur në media, rreth ikjes a qëndrimit të Kryetarit të mazhorancës në krye të Qeverisë. Sinqerisht, pas kaq viteve nga botimi i shkrimit tënd, themi se mendimi ynë sot është pjekur përfundimisht : -Sa të jetë vërsniku yt, “dollibashi” fjalëprerë e i pa dalë në pension, Edi Ramës i marrin të keqen në krye të PS-së! Dhe si gjithmonë, bashkë e sup më sup me “fatligxhafërinë” (një nga pronarët kryesorë të “tregut të ligjeve” në Parlament), simulante e intrigante e pashoqe…

Miqtë e mi vërsnikë e mendjehollë te Gryka e Këlcyrë-Mezhgoranit, unë i dua dhe i besoj shumë. Në kohë të mira e të këqija. Vetëm ata nuk më kanë tradhtuar e zhgënjyer kurrë ! Vetëm ata i thonë gjërat sy më sy e të kulluara si buronjat në Golik e Trebeshinë. Larg rrëmujës e rrëmetit, larg zilisë, smirës e lukunisë lakmitare, larg mashtrimit e cinizmit metropolitan, larg hipokrizisë me çizme a këpucë lustrafinë… Kanë mendimet e tyre të pavarura e të pamolepsura nga interesat e ngushta e të dyshimta personale, familjare, fisnore e krahinore. Siç e shikoni, edhe për ikjen apo qëndrimin e Ramës në timonin e PS-së, ata kanë pasur e kanë ende mendim krejt tjetër nga analistët rreth selive në kryeqytet. Me një fjali i thonë të tëra, pa tjerrur komente e paragrafë me laps e stilografë, me ojne e konkluzione. Për shembull, “dollibashin” dinë ta respektojnë nëpër gostira e vakira, por pa e bërë asnjëherë zot shtëpie a kalander drejtësie. Se vërtet mund të jetë ende praktikisht “violina e parë” në atë forcë politike të pushtuar tashmë nga rilindistët e djeshëm “të pavarur”, por dardha e ka bishtin prapa. Po ia dëgjojmë krismat e padëgjuara dikur. Socialistët e vërtetë e me kontribute reale, po humbasin pa nam e nishan,, duke marrë së fundi me vete edhe Shkëlqim Canin fillikat në qeverisje ! Ama, heshtja e tij nuk ngjan aspak me atë heshtjen rënkimtare e kuptimplote të 9 maleve të Dibrës. Megjithatë, ajo flet shumë për të gjithë ata me kostum të vërtetë socialisti… Ndërsa për “Dollibashin” trim e fajkua i dikurshëm, thonë se i qëndron gatitu “fatligxhafërisë”, por unë sinqerisht nuk e besoj këtë haber taze, idhnak e ulërak. Sepse në fund të fundit, vjeshta zakonisht nuk vjen vetëm me gënjeshtra. Dhe as vetëm me shira e mbjellje ugari apo thjesht me karçinë vjeshte në Këlcyrë, te Pazari. Nuk thoshte kot gjyshi im i ndjerë : Gusht e gunë, vjeshtë e lugë ! Aq më tepër tani që po troket vjeshta e dytë. Sepse dollibashit, jo rastësisht i thërrasin edhe më shqip : Kryegjetës . Kurse në Skrapar e kanë pagëzuar më herët edhe “Kryengritës”. Ndoshta në kundërshtim me miqtë e mi të vjetër e vërsnikë, sinqerisht kam bindjen se ai dollibash i regjur nuk ecën pas berihasë dhe as sheh yllin e merr pyllin. Për mua, qofsha i gabuar, atij nuk i kanë rënë plotësisht pendët dhe këmbët i mban ende në yzengji. Megjithëse një miku ynë i përbashkët e kokëplotë, ka sugjeruar si pagëzim më të saktë emërtimin “hyzmetci”. Sepse “dollibash” e quan mbivlerësim sipëror e të pamerituar. Mirë, o mirë,-iu ktheva unë para ca kohësh,-por gjyshi na ka lënë një llaf të çmuar si amanet : Më mirë qyqar se hyzmeqar të Njëshit !…Dhe vërtet këta prototipa dinakë e të pështirë, para timonierit tregohen të mirë, të urtë e të butë, babaxhanë e besnikë me “dorashka kadifeje”. Dhe krejt ndryshe e plot maska me njerëzit e thjeshtë, me hallexhinjtë poshtë kupolës drejtuese…

Një pyetje po mbetet varur dhe e pakallur : Kush e solli “kohën e gëk-mëkut” dhe memecllëkun në Partinë Socialiste të Rilindjes ? Bie fjala, c’u bënë skifterët dhe çakejtë e mendimit të lirë e “parimor” përballë të burgosurit politik, Fatos Nano (nga të vetmit liderë të prangosur politikisht në Europë ! ). A e kanë humbur e në cilin grazhd po shullëhen vallë ? Apo kanë ulur kokën bashkë me Drejtësinë Shqiptare para qelive të Fatosit në katakombet e Bënçës ?! Dorëheqjet e tij demokratike po mbeten të vetmuara e model vitrine muzeale, rrethuar nga baltra e baltosës të pacipë majtas e djathtas që u pasuruan frikshëm. “Ohuu, ata një yrnek janë, nuk ndryshojnë shumë nga njeri-tjetri…”, na thotë aty për aty një ish militant i thekur i PS-së, ardhur në Tiranë nga “Progonati me vulë”. Taborët me lëpirës rilindistë aguridhë e pa asnjë ditë përvoje dhe që drejtojnë thjesht me fejsbuqe e ulluqe nëpër majat e shumta të Administratës Shtetërore, po shtojnë e po fryjnë përrenjtë e zhgënjimit shpresëvrarë. Gati të gjithë kopjojnë e imitojnë monologët irrituese kryeministrore. Së paku, le të njihen me këtë humor therës nga lashtësia: “Aristofani, komediografi i madh, i kishte inat servilët. Një ditë prej ditësh, njërit bashkëbisedues që po i miratonte çdo fjalë e po ia përkëdhelte shumë qejfin, i tha:

Swiss Digital Desktop Reklama

-Ju lutem, më kundërshtoni një herë, që të kem përshtypjen se jemi dy veta që bisedojmë !”…. Se vërtet ka idhujtarë të dukshëm rilindistë deri në përulje e përthyerje përtej çdo dinjiteti e personaliteti, por si në heshtjen pas bubullimave qiellore ka edhe pak kundërshtarë të patundshëm që “lehin si qeni në hënë” përballë arrogancës e fodullëkut të “ramskarenjve” të pandreqshëm. Vetëm ky takëm e të tjerë heshtjeshitur po ia shikojnë hajrin hedhjes kolltuk më kolltuk shtetëror, pa punuar asgjëkundi dhe pa i  vrarë kurrë këpuca. Mirëpo, më thoni, cili është për t’i pirë dollinë ? Apo ta lëmë si urdhëresë të detyruar për të gjithë në sofrën e sotme qeverisëse. Shkurt, “dolli okë e kokë”! Se miqtë e mi të mençur dhe të rrahur në jetë me vaj e me uthull, nuk ia futin kurrë “si kau pelës”, por më përgjigjen pa shtresa e mbulesa demagogjie. Përgjigje që mund të begenisin e të ftillojnë edhe ata analistët që përmendëm më lartë. Pa u telikosur e pa u nervozuar hiç : “Sa të jetë vërsniku yt “dollibash”, Edi Ramës i marrin të keqen në majë të PS-së!”. Të tjerat janë më tepër hamendje e copëza me përralla publicistike që nuk të përkundin dot as për një sy gjumë…

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?