Kryeministri gati thertoren në PS, koka e kryebashkiakut të Vlorës ikën e para
-Më shumë se për postet frika e disa ministrave është se bashkë me detyrën mund të shkojnë për skrap te SPAK! Ndërkohë kryeministri me qetësi po shijon sherret tek e djathta dhe kur sheh se opozita nuk po vetëshkatërrohet sipas planit të tij, ndërhyn vetë apo me mediat e tij për t’i hedhur benzinë zjarrit. Opozita i duhet siç është sot; e dobët, e paqartë, e përçarë dhe pa asnjë plan për nesër, ndaj dhe do të bëjë çdo gjë që gjërat të mbeten kështu-
Pas festave me shampanjë për fitoren e mandatit të tretë, socialistët kanë nisur luftën mes vetes. Në qeveri ka panik mes ministrave, pasi shumë prej tyre nuk e shohin më veten në kabinetin e ardhshëm. Më shumë se për postet, frika e ministrave është se bashkë me detyrën mund të shkojnë për skrap në zyrat e SPAK-ut. Në Parlament balanca e grupeve politike brenda PS ka ndryshuar. Deputetë me kontribute dhe peshë politike që i mbijetuan thertores së listave të Edi Ramës tashmë ndjehen edhe më të rrezikuar nga pushteti i tepërt që ka marrë kryeministri. Askush nuk e rrezikon nga brenda PS, Edi Ramën, pasi rivalët dhe grupimet i sakatoi prej kohësh gjatë tetë viteve në pushtet. Sot lufta dhe sherret në PS bëhen për vendin e dytë, të tretë apo për pak më shumë pushtet brenda kampit. Sherret e padukshme bëhen se kush do të ulet më afër Edi Ramës në pushtetin e 4 viteve të tjera apo kush do të jetë tek të parët që presin në radhën shumë të gjatë para zyrë së tij. Fitorja e zgjedhjeve nuk e ka bërë euforik liderin e socialistëve dhe as më pak hakmarrës. Nisma për shkarkimin e Presidentit ishte sinjali se Rama i mandatit të tretë nuk do të ndryshojë nga ai i dy të parëve. Me qetësi po shijon sherret tek e djathta dhe kur sheh se opozita nuk po vetëshkatërrohet sipas planit të tij, ndërhyn vetë apo me mediat e tij për t’i hedhur benzinë zjarrit. Opozita i duhet siç është sot; e dobët, e paqartë, e përçarë dhe pa asnjë plan për nesër, ndaj dhe do të bëjë çdo gjë që gjërat të mbeten kështu. Që fitorja e mandatit të tretë e ka bërë Edi Ramën dhe më hakmarrës shihet sesi po sillet me Vlorën dhe me kryebashkiakun e saj, Dritan Leli. Edhe pse fitoi në qytetin bregdetar mandatet që donte, sërish nuk ja fal Dritan Lelit refuzimit që i bëri për të qenë në listën e kandidatëve për deputetë. Dy ditë pas zgjedhjeve shkoi zonën e Lungomares dhe e shpalli publikisht të “vdekur” qytetarin e parë të Vlorë. Sinjali ishte i qartë se edhe pse fitoi, nuk do të toleronte asnjë prej të tijve t’i dilte kundër.
Pas deklaratave të Edi Ramës kundër Lelit dje nisën sulmet e orientuara publike kundër tij. Deputeti i zgjedhur i PS, Ilir Metaj, sipas porosisë së kryeministrit ka kritikuar ashpër kryebashkiakun e Vlorës për mos marrjen e masave për sezonin veror. Me një gjuhë që socialistët e përdorin vetëm kundër kundërshtarëve politike, Metaj thotë se Leli nuk ka bërë asgjë në Vlorë dhe aktiviteti i tij është vetëm ndërrimi i kostumeve për foto në Facebook. “Dritan Leli, në vend që të kaloje kohën nëpër aktivitete- fasadë pa asnjë vlerë, do duhej të angazhohej në punë konkrete sepse jemi brenda sezonit turistik veror tashmë dhe të paktën plazhet duhet të ishin të pastruar e mirëmbajtur.Them të paktën plazhet, sepse radha e punëve të mos bëra është e gjatë. Nuk e di, kë pret Leli të vijë e të bëjë punët e përditshme të Bashkisë. Ai edhe mund të presë në fakt, se kjo nuk e pengon të mbushë fejsbukun me foto kostumesh që ndërron përditë, problemi është që Vlora nuk pret!”,- shkruan Ilir Metaj në Faceook. Një sulm i tillë, sado i guximshëm të jetë deputeti i ri i PS-së në Vlorë nuk bëhet pa miratimin apo orientimin e Edi Ramës. Prej kohësh pritet që Edi Rama të firmosë shkarkimin e Dritan Lelit. I duhet vetëm një justifikim që të mos lidhet shumë me PS, por me punët e bashkisë. Sulmi i Ilir Metaj është pikërisht në këtë linjë. Pas tij, do të ketë deputetë dhe organizata të PS që do të sulmojnë këto ditë kryebashkiakun, për t’i dhënë Edi Ramës “argumente” për largimin nga detyra. Dritan Leli është vetëm i pari nga shumë socialistë që pas fitores do të hyjnë në gijotinën e mandatit të tretë rilindas.
Lista që do kalojnë në thertoren e shefit të qeverisë nuk është e vogël, disa do e provojnë kosën e tij pikërisht me 12 qershor, ditën e festës së PS. Duhen ca kurbanë për festën e Rilindjes.
Mili Xhani