Kryeministri i përgjigjet komentuesit: Inati politik e bën njeriun të verbër dhe shurdh!

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sërish komentuesve në rrjetet sociale.

Një komentues i ka shkruar Ramës në faqen e tij të Facebook se qeveria investohet në luks dhe gjëra defrimi, ndërsa shton se Shqipëria po bëhet për të huajt dhe pak për shqiptarët.

“Shqipëria për të huajt dhe pak për shqiptarët”! Vërtetë e ke? Këta të huaj kur vijnë këtu e marrin ushqimin me vete apo hanë në tryezat e shqiptarëve? Vijnë me krevat në krah apo flenë në hotelet dhe bujtinat e shqiptarëve? Çudi e madhe kur thuhet se shqiptarët nuk bëjnë turizëm. E di ti miku im sa shqiptarë bëjnë pushime brenda dhe lëvizin në fundjavë? Po flas për shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, jo për ata jashtë.
Sipas INSTAT, janë 979 456 shtetas rezidentë shqiptarë që kanë qenë pushues në hotelet dhe bujtinat e vendit gjatë 2024. Nuk futen ata që kanë rezidenca dytësore. Para se të vinim ne, Shqipëria shihej si dele e zezë nga të gjithë dhe turistët që vinin nga jashtë ishin shumica dërrmuese shqiptarë emigrantë dhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Sot jo vetëm këta që janë shtuar por janë shtuar edhe miliona të huaj. Nuk e di, por inati politik e bënka njeriun të verbër dhe shurdh, tamam tifoz futbolli, ndërkohë që këtu të gjithë kemi një flamur, flamurin e Shqipërisë. Dielli nuk mbulohet me shoshë, shqiptarët që luftojnë dhe punojnë dhe që i shohin gjërat e bëra me luftë dhe punë, i kanë të qarta edhe faktet edhe rrugën përpara drejt majës së 2030 në BE”, thotë Rama në komentin e tij.

SHKARKO APP