Kryeministri në promovimin e kartës elektronike së shëndetit

Prej 15 shkurtit ka nisur shpërndarja online e Kartës së Shëndetit. Kjo mënyrë e re e aplikimit bën të mundur pajisjen e qytetarëve me Kartën e Shëndetit me anë të një  dokumenti të vetëm, Kartës së Identitetit.

Për të parë nga afër procesin, Kryeministri Edi Rama ishte sot, në Qendrën Shëndetësore nr.9 në Tiranë ku prej ditësh ka nisur ky proces. Në më pak se një minutë, një qytetar bën aplikimin vetëm me Kartën e Identitetit. Pas kryerjes së aplikimit, ai hyn në portalin e-albania dhe e printon vetë Kartën e Shëndetit, pa qenë nevoja të paraqitet në sportelet e Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor. “Nëse dikur nxirrnin nga sistemi 30 karta, tani nxjerrim 70-120 për një periudhë kohore dy orë. Tani shërbimi është nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 8 të darkës dhe nxjerrim 400-500 karta në ditë,” – informoi operatorja që asistonte qytetarët gjatë aplikimit.

Informatizimi i këtij shërbimi bën të mundur lidhjen dhe marrjen në kohë reale të informacionit në disa institucione njëherësh, regjistrin e Gjendjes Civile, regjistrin e pensioneve, regjistrin e kontribuuesve; regjistrin e punëkërkuesve, si dhe regjistrin e ndihmës ekonomike. Për qytetarët, kjo eliminon një radhë dokumentesh që nevojiteshin deri dje, si pasojë edhe dhe vajtje-ardhjet sa nga një zyrë në tjetrën dhe shkurton e kohën e shërbimit; Për administratën, eliminon fiktivitetin e një sërë dokumentesh që paraqiteshin për të marrë shërbim në mënyrë të padrejtë, rrit sigurinë dhe transparencën.

“Për të çmontuar të gjithë atë barrë të tmerrshme që kishin dhe vazhdojnë të kenë në zona të ndryshme njerëzit dhe mjekët, duhet paralelisht me ndryshimet strukturore, edhe një reformim rrënjësor i formës së shërbimit dhe kalimin në shërbimin shëndetësor elektronik. Receta elektronike, nga njëra anë, Karta e Shëndetit e marrë elektronikisht, nga ana tjetër janë dy hapa, jo të gjitha, që sjellin një lehtësi shumë të madhe. Përfundimisht, të gjithë ato radhë të tmerrshme, që i përjetuam edhe nëpërmjet televizionit në zona të ndryshme, evitohen plotësisht dhe e gjitha funksionon shpejt, por më e rëndësishme, në mënyrë transparente dhe në mënyrë të tillë që çdo gjë e shkruar mbetet aty,” – u shpreh Kryeministri Rama, që në këtë vizitë shoqërohej nga ministrja e Inovacionit Milena Harito, Zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe Drejtoresha e FDKSH-së,  Vjollca Braho.

Karta e Shëndetit është një ndër hapat për modernizimin e shërbimit shëndetësor, pjesë e reformës së gjithanshme në shëndetësi, që bashkë me recetën elektronike mundëson kontrollin online të sistemit. “Me përfundimin e recetës elektronike në gjithë Shqipërinë, pas realizimit me sukses në qytetin e Durrësit, bëhet e mundur që ne të kemi nën kontroll të gjithë sistemin, duke filluar që  nga vizita tek mjeku i familjes, pajisja me recetën elektronike, marrja e ilaçeve në farmaci,” – u shpreh Vjollca Braho.

Shpërndarja e Kartës së Shëndetit ka nisur në dhjetor të vitit 2014 dhe gjatë vitit të shkuar u shpërndanë rreth 692 500 karta. Nga janari i këtij viti deri më tani janë shpërndarë mbi 320 mijë Karta Shëndeti. Përdorimi i kësaj karte përbën një lehtësi edhe për mjekun  e familjes, i detyruar deri dje të plotësojnë fletë libreze pa fund, që tashmë të fokusohet tek qëllimi i detyrës së tij, kujdesi ndaj qytetarit. “Mjeku i familjes ka më shumë kohë të merret me qytetarin, sepse më parë ka pasur një librezë shëndeti dhe duhet të plotësonte edhe recetën, edhe librezën e shëndetit, pra, të njëjtën gjë e hidhte dy herë,” – tha Zëvendësministri Rjepaj.

SHKARKO APP