Kryeministri: Pensionet, kocka më e vështirë për t’u gëlltitur!

Kryeministri Edi Rama ka folur në konferencën ndërkombëtare për reformën në sistemin e pensioneve në Shqipëri.

“Sot jemi mbledhur për të diskutuar mes ekspertëve ndërkombëtarë, këshilltarëve që kemi privilegjin t’i kemi, se çfarë duhet të bëjmë më tej me sistemin e pensioneve, duke pasur si ambicie majën e 2030-ës kur Shqipëria duhet dhe unë besoj do të jetë anëtare e BE-së. 10 vjet më parë e kemi nisur rrugën duke synuar të bëjmë një reformë të mirëfilltë dhe jo të arnojmë siç ka ndodhur në të shkuarën, duke qenë të vetëdijshëm që pensionet janë kocka më e vështirë për t’u gëlltitur.

Banka Botërore na kërkoi të ulnim pensionet dhe të rrisnim çmimin e energjisë. Përgjigjja jonë ishte JO. Ne do të reformojmë sistemin. Nuk rrisim çmimin e energjisë sepse do të reformojmë sistemin dhe do të garantojmë që të gjithë të paguajnë. Kjo ka ndodhur. Ashtu sikundër në sistemin e pensioneve është menduar sot për sot dhe u krijuan premisat e një skeme në prag të kolapsit.

Do të fillojmë të vëmë rregull dhe të garantojmë që të gjithë të paguajnë energjinë. Ashtu si sistemi i pensioneve, duke krijuar faktikisht premisat e një skeme në prag kolapsi, sot natyrisht jemi në kushte absolutisht të tjera dhe patjetër e ndjejmë, e mirëkuptojmë dhe njëkohësisht e marrim përgjegjësinë lidhur me kërkesën për të marrë pjesë në shpërndarjen e fryteve të reformave. Do të ishte fatale nëse në këtë pikë do të vepronim pa pasur një vizion afatgjatë dhe plan të qëndrueshëm afatgjatë, do të shkaktonim të njëjtat dëme, faktikisht na kishin vënë para një sistemi pensionesh të rrezikshëm kur ndërmorëm reformën e 2014”, tha Rama.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja si dhe Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu.

SHKARKO APP