Kryeministri Rama: Çfarë spiunësh rusë, kur ata ishin në objekte të shkatërruara ushtarake!?
Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës me kryeministrin e Luksemburgut në Tiranë, i pyetur për ngjarjen e Gramshit ku u ndaluan dy të rinjë rus dhe një vajzë nga Ukraina, hodhi poshtë versonin e spiunazhit.
“Nuk kam pasur mundësi të shprehem për këtë. Meqë ma jepni këtë mundësi më lejoni të them që mjegulla e ngritura mbi të ashtuquajturat objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë as fabrika që prodhojnë armë. Ato janë karakatina të deklasifikuara si objekte të rëndësisë së veçantë. Kanë statusin e SHPK-ve të falimentuara. Janë deri në pikën kur për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë dritat ju priten edhe dritat.
Kanë disa roje për ta mbrojtur nga zaptimet. Të thuash që po bëhej spiunazh duke fabrikuar mbetjet e komunizmit është shumë qesharake. Ajo që duhet të na shqetësonte është këta persona çfarë qëllimesh të vërteta kanë në vendin tonë. Një mision spiunazh me veturë sportive e cila duket sikur thërret aman hajdeni dhe më kapni është qesharake. Shqetësimi ynë është ku është qëllimi i vërtetë i këtyre njerëzve dhe kjo i takon drejtësisë. Kjo mjegull i shërbeu një sëkëlldie kurse njerëzit e zakonshëm bënë shumë humor për këto thirrje të urrejtësve profesionist për rrëzimin e sigurisë kombëtare ndërkohë që duhet të shikojmë nga hetimi dhe gjykimi se ku është qëllimi i vërtetë, nuk ka lidhje fare me objektet, a jeni në vete apo jo?! Jemi në një kohë tjetër, këta janë personazhe të dyshimtë, është qesharake të thuash spiunazh. Çfarë fshihet pas këtyre shfaqe, me ndihmën e kolegëve tuaj që flisnin për C4 dhe mbetje nukleare në këtë zonë, ky spektakël u dha dhe iu vu në shërbim të këtij misioni për të bërë zhurmë të madhe. Grupet hetimore po bëjnë punën për të zbardhur ngjarjen”, tha Rama.