Kryeministri Rama: Uroj që situata e krijuar nga KQZ të mos dekurajojë qytetarët për të votuar!
Sot, situata e krijuar nga mosfunksionimi i pajisjeve të identifikimit elektronik (PIE), ku numër i madh qendrash votimi nuk punuan, por detyruan votuesit të prisnin me orë ose të iknin, ka sjellë edhe reagimin e kryeministrit Rama.
Kryeministri Edi Rama ka votuar në një prej qendrave të votimit në Surrel. Kreu i PS-së, shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Shefi i ekzekutivit shqiptar ishte i prerë dhe kritik ndaj KQZ për këto ndodhi masive në shkallë vendi.
Ai tha: “Besoj janë thënë të gjitha ato që duheshin thënë. Tani është momenti që qytetarët të thonë fjalën e tyre. Uroj shumë që situata e krijuar nga KQZ të mos ketë ndikuar në dekurajimin e atyre që kanë shkuar të votojnë qysh në fillim në ato zona ku nuk punuan aparaturat dhe që të gjithë ata që mund të jenë dekurajuar, të rikthehen që vullneti të shkojë i plotë në të gjithë territorin e Shqipërisë, për kandidatët dhe këshillat bashkiakë”, deklaroi Rama pasi doli nga qendra e votimit.